Kosova ka paraqitur kërkesën për t’u përfshirë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, të njohur si SEPA. Nëse pranohet, qytetarët dhe bizneset mund të kursejnë para nga transferet.
SEPA është një nismë e Bashkimit Evropian që u jep mundësi individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa në euro shpejt, në mënyrë të sigurt dhe me tarifa të barabarta në të gjitha vendet pjesëmarrëse.
None found
Çfarë do të përfitonte Kosova?
Mbrëmjen e 6 nëntorit, Banka Qendrore e Kosovës e cilësoi aplikimin si një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar dhe ekonomik me BE-në, ku Kosova synon të anëtarësohet një ditë.
BQK-ja vlerëson se përfshirja në hapësirën gjeografike të SEPA-s do t’u kursente qytetarëve dhe bizneseve rreth 55 milionë euro në vit.
Edhe ekspertë të financave kanë vlerësuar më herët, në prononcime për Radion Evropa e Lirë, se anëtarësimi do të sillte përfitime për të gjithë. Eksperti financiar Nexhat Miftari ka shpjeguar se ata që marrin remitenca ose transfere të tjera do të paguanin tarifa shumë më të ulëta, ndërsa dërgimi dhe pranimi i parave do të bëhej më shpejt, më sigurt dhe më lehtë.
Remitencat që qytetarët e Kosovës jashtë vendit u dërgojnë familjarëve arrijnë në mbi 1 miliard euro në vit. Një qytetar i Kosovës që punon në Gjermani i ka treguar më herët Radios Evropa e Lirë se, për shkak të tarifave të larta bankare, paratë për familjen i dërgon vetëm përmes kompanive të transferimit të parave.
Komisioni ndryshon sipas shumës së dërguar, valutës dhe faktit nëse dërguesi është individ apo biznes. REL-i raportoi më 2025 se kostot minimale të transfereve ndërkombëtare shkonin nga 15 deri në mbi 500 euro, në varësi të këtyre faktorëve. Përfshirja e mundshme e Kosovës në SEPA do të ulte ndjeshëm si shpenzimet, ashtu edhe kohën e transferimit.
Si shembull të efektit të anëtarësimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmendi përvojën e vendit të tij, i cili u pranua në këtë zonë vitin e kaluar. Sipas tij, pas pranimit, komisionet për transfere bankare prej 100 deri në 500 euro ranë në 1 deri në 3 euro. Më parë, marrësi në Shqipëri përfitonte 88-90 euro, pasi bankat mbanin deri në 10 për qind të shumës.
Në ueb-faqen e Bankës Qendrore Evropiane shpjegohet se standardet e njëjta të SEPA-s kanë hequr dallimet midis pagesave vendore dhe atyre ndërkufitare, duke ndihmuar efikasitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë evropiane.
Aplikimi i Kosovës tani do të kalojë nëpër vlerësimin e përputhshmërisë së kornizës ligjore dhe rregullative me kushtet për hyrje në hapësirën gjeografike të SEPA-s. Sipas BQK-së, nëse vendimi është pozitiv, më pas do të ndiqen procedurat që institucionet financiare të Kosovës të marrin pjesë në skemat përkatëse të pagesave.
Si u arrit deri te aplikimi?
Procesi nisi në tetor të vitit 2024, kur Kosova dorëzoi paraaplikimin për anëtarësim në SEPA. Sipas BQK-së, ky hap hapi rrugën për konsultime dhe vlerësime paraprake me institucionet përkatëse evropiane. Që atëherë, banka thotë se ka punuar për t’iu përgjigjur kërkesave, për të përgatitur dokumentet dhe për të plotësuar kushtet ligjore, rregullative e teknike.
Para dorëzimit të aplikimit, Kosovës iu desh ta përafronte legjislacionin me kërkesat e BE-së. Në këtë proces u kërkuan tri ndërhyrje të rëndësishme ligjore: ligji për bankat, ligji për shërbimet e pagesave dhe ndryshimet në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Këto ligje ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pas ankesave për shkelje procedurale gjatë miratimit. Gjykata e shpalli jokushtetues Ligjin për shërbimet e pagesave për këtë arsye, ndërsa vendosi se ligji për bankat ishte në përputhje me Kushtetutën.
Më pas, deputetët miratuan Ligjin për shërbimet e pagesave dhe votuan ndryshimet në legjislacionin për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Kjo i hapi rrugë aplikimit në SEPA.
BQK-ja ka bërë të ditur se, pas dorëzimit të kërkesës, do të vijojë bashkëpunimin me institucionet evropiane, bankat komerciale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave për përgatitjet teknike e operacionale që nevojiten për integrimin e plotë në skemat e SEPA-s.
Aktualisht, SEPA përfshin 41 vende: të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si edhe vende jashtë saj, përfshirë Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet fqinje të Kosovës.
Takimi i fundit i Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së…
Një 60-vjeçar nga Gostivari dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore e ka detyruar nënën e tij 80-vjeçare, e…
Në postimin e fundit në rrjetet sociale të klubit të Partizanit, disa minuta para ndeshjes me Laçin, ekipi shfaqet duke…
Rreth 70 mijë efektivë policie dhe personel sigurie do të angazhojnë autoritetet franceze në të gjithë vendin me qëllimin siç…
Me thirrjen “Me Arlindën përfundoni”, qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në qendër të Prishtinës në protestën gjithëkombëtare kundër vrasjes…
Ditën e sotme, një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi, është raportuar në një minierë në zonën…