Nën thirrjen “Me Arlindën përfundoni”, qytetarë nga qytete të ndryshme janë mbledhur sot në qendër të Prishtinës për një protestë gjithëkombëtare kundër vrasjes së grave. Tubimi u thirr pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Marshi, i organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nisi në orën 12:00 pranë Katedrales “Nënë Tereza”. Kolektivi u kishte bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet të merrnin pjesë.
Gjatë mbledhjes së protestuesve u dëgjua një incizim ku Arlinda Zekaj kërkonte ndihmë në stacionin policor në Pejë, siç raportoi Klan Kosova. Pjesëmarrësit thonë se suspendimet e deritanishme janë të pamjaftueshme dhe kërkojnë shkarkimin e ndjekjen penale të të gjithë atyre që nuk arritën ta mbronin.
None found
Organizatorët u kanë paraqitur institucioneve gjashtë kërkesa. Ata kërkojnë që kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit Suada Rama Hamza, kryetari i gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësi Migjen Kastrati, ushtruesja e detyrës së drejtores së Qendrës për Punë Sociale Shpresa Lukaj dhe togeri Faruk Muqolli të shkarkohen, të ndiqen penalisht dhe të burgosen. Të njëjtën kërkesë e shtrijnë edhe ndaj çdo zyrtari tjetër të përfshirë në rast.
Ndër kërkesat janë edhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri. Organizatorët kërkojnë gjithashtu shpalljen e vrasjes së grave urgjencë kombëtare, sigurimin nga shteti të banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, veting të pavarur e apartiak në drejtësi dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Mobilizimi për Arlindën ka hyrë në javën e dytë. Të enjten, në ditën e nëntë të protestave radhazi, aktivistet bllokuan qarkullimin në rrugën pranë Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë. Protesta e marshime janë zhvilluar edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog. Gjatë kësaj jave, kryeprokurori i shtetit, Zejnulla Gashi, priti në zyrën e tij aktivistet që kishin kërkuar takim për rastin.
Arlinda Zekaj ishte 49 vjeçe kur u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi kishte raportuar në Polici dhunën në familje. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.
Të dhënat e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se ajo kishte denoncuar më 10 korrik dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti. Më 7 shtator kërkoi në Gjykatën Themelore në Pejë një urdhër emergjent mbrojtjeje dhe, po atë ditë, i dërgoi gjykatës një mesazh ku shprehte frikën për jetën. Më 16 tetor, gjykata urdhëroi kthimin e saj në banesën e përbashkët me ish-bashkëshortin, pranë djalit të saj. Kërkesat që ky vendim të zbatohej mbetën pa zgjidhje.
Pas vrasjes, Gazmend Hoxha dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës; kryeministri Albin Kurti e pranoi atë. U suspenduan gjithashtu 11 zyrtarë policorë dhe prokurorë që ishin marrë me rastin.
Në konferencën për media më 30 tetor, Gërvalla dhe Sveçla refuzuan të jepnin dorëheqje. Gërvalla tha se dokumentacioni i siguruar deri atëherë tregonte vonesa dhe mangësi serioze. Sipas saj, vrasja e Arlinda Zekajt nuk ndodhi pa paralajmërim, pasi institucionet kishin marrë sinjale të qarta se jeta e saj ishte në rrezik.
Gërvalla ngriti pyetjen nëse mosveprimet buronin vetëm nga neglizhenca apo nëse kishin ndikuar edhe qarqe politike ose kriminale. Ajo tha se dorëheqja nuk do ta përshpejtonte identifikimin e përgjegjësve dhe kërkoi të vazhdonte punën për t’i adresuar ata; sipas saj, çështja e dorëheqjeve mund të diskutohej sërish më pas. Sveçla tha se e kupton zemërimin e protestuesve, por nuk mendon se largimi i tij do të sillte ndryshimin që ata kërkojnë. Dorëheqjen e të dy ministrave e kanë kërkuar edhe PDK-ja dhe Aleanca.
Të premten, Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt zhvilloi një mbledhje të mbyllur për mediat. Përpara saj, anëtarët diskutuan mungesën e raporteve nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Raportet e të dyja ministrive i ishin dërguar Zyrës së Kryeministrit më 29 tetor, ndërsa kryeministri Kurti është zotuar t’i bëjë publike.
Protesta në Prishtinë vazhdon ende. Bota Sot do të vijojë ta ndjekë.
Rreth 70 mijë efektivë policie dhe personel sigurie do të angazhojnë autoritetet franceze në të gjithë vendin me qëllimin siç…
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe, nëse vendi përfshihet në këtë…
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është raportuar në një minierë në zonën e Martaneshit. Pas…
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se anëtarët e grupit punues për strategjinë shtetërore lidhur…
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që sa më shpejt të përgatitet drafti i parë i…
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të hyjë në garën për kryetar…