Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se Kosova dhe Gjermania synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e mjedisit, me fokus të veçantë te Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Të lidhura
None found
Pacolli njoftoi se ka zhvilluar një takim me Bettina Hagedorn, Sekretare Shtetërore Parlamentare në Ministrinë Federale të Gjermanisë për Mjedisin.
Sipas saj, gjatë bisedës u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e mjedisit. “E informova për punën konkrete që po bëjmë për mbrojtjen e ujërave dhe zonave natyrore, luftimin e deponive ilegale dhe përballjen me sfidat klimatike”, ka thënë Pacolli.
Ajo bëri të ditur se në takim u përsërit angazhimi për avancimin e bashkëpunimit në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Rikonfirmuam përkushtimin për ta thelluar bashkëpunimin në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dekarbonizim, ekonomi qarkore dhe mbrojtjen e biodiversitetit”, ka deklaruar ajo.
Ministrja Pacolli e cilësoi Gjermaninë si një aleat të rëndësishëm për Kosovën në përmbushjen e këtyre objektivave.
“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm për Kosovën në avancimin e këtyre prioriteteve, ku edhe gjatë këtij takimi na e rikonfirmuan mbështetjen e tyre në objektivat tona”, ka thënë Pacolli.
