Categories: kosovë

Koci kritikon ashpër Ramën: Zelensky sulmoi Kosovën, kurse ti po u kundërvihesh shqiptarëve

Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj debatit mbi mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina ka sjellë një reagim të fortë nga Melazim Koci. Kreu i qeverisë shqiptare kishte kritikuar zërat në Shqipëri dhe Kosovë që, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, kërkuan rishikimin e përkrahjes shqiptare për Ukrainën, duke i paraqitur ata si pjesë të një “kalkulatori gjeopolitik”.

Të lidhura

None found

Përmes një postimi në Facebook, Koci thekson se kundërshtimet ndaj Zelenskyt nuk nënkuptojnë braktisje të Ukrainës dhe as rreshtim në krah të Rusisë. Sipas tij, reagimet lidhen drejtpërdrejt me pozicionin e presidentit ukrainas për Kosovën. Ai e akuzon Ramën se po e anashkalon çështjen kryesore dhe po i quan “nacionalistë shqiptarë” ata që kundërshtuan deklaratat e Zelenskyt për pavarësinë e Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Koci kërkon gjithashtu shpjegime për mungesën e Kosovës në dy samitet e fundit “Ukrainë–Evropë Juglindore”, ndërsa i bën thirrje Ramës të tregojë qartë se si pozicionohet përballë politikës së Kievit ndaj Kosovës.

Reagimi i plotë:

Edi Rama provokon sërish, ndërsa bën sikur nuk i dëgjon deklaratat skandaloze të Zelenskit!

………

Këtë herë, Edi Rama paska identifikuar përsëri “nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë”, për shkak të reagimeve ndaj presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, të cilin ai e quan “miku im”. Rama pretendon se këta njerëz kanë kërkuar “të hiqet dorë nga Ukraina” dhe se disa prej tyre madje kanë “brohoritur për Rusinë”.

Kjo përbën një nga pavërtetësitë më të mëdha që mund të artikulojë Edi Rama.

Vështirë se lufta e drejtë dhe heroike e Ukrainës përballë agresionit brutal rus ka pasur, ka apo do të ketë diku në botë mbështetje më të fuqishme se ajo që i është dhënë në Shqipëri dhe Kosovë.

Megjithatë, kjo nuk është një luftë personale e Volodimir Zelenskit. Presidenti Trump, vitin e kaluar, e quajti atë “diktator” dhe e nxori nga Shtëpia e Bardhë. Nuk më kujtohet nëse Edi Rama e mbrojti atëherë mikun e vet Zelenski dhe nëse, për këtë arsye, e cilësoi presidentin Trump si “nacionalist”.

Rama duhet ta kuptojë se ata që ai i quan “nacionalistë shqiptarë” nuk mund të qëndronin në heshtje, pasi Zelenski, më shumë sesa Prishtinën, vuri në shënjestër politikën 36-vjeçare të Perëndimit për Kosovën.

Problemi nuk qëndron te fakti që Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për shkak të luftës në të cilën ndodhet Ukraina, askush nuk i ka kërkuar Zelenskit ta ndërmarrë një hap të tillë.

Ajo që Edi Rama ose nuk arrin ta kuptojë, ose nuk dëshiron ta pranojë, është se deklaratat e Zelenskit në Beograd prekën parimet themelore të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe GJND-së lidhur me Kosovën.

Në Beograd, Zelenski tha se “pavarësia e Kosovës është shpallur njëanshëm”. Rama dhe miku i tij duhet ta dinë se shtetësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë diplomatik dhe i bisedimeve të zhvilluara në Vjenë, ku morën pjesë aktorët kryesorë ndërkombëtarë.

Zelenski deklaroi më tej se, përmes refuzimit të njohjes së Kosovës, po mbron “të drejtën ndërkombëtare”.

Kryeministri shqiptar dhe miku i tij duhet të jenë në dijeni se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2010, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte cenuar të drejtën ndërkombëtare.

Pra, është pikërisht Volodimir Zelenski, miku i Ramës, ai që mban një pozicion në kundërshtim me interpretimin e dhënë nga GJND-ja.

Cilat palë i goditi miku i Ramës me këto pohime?

Përveç Kosovës, ai goditi as më pak dhe as më shumë se NATO-n, SHBA-të, BE-në dhe GJND-në. Bëhet fjalë, fjalë për fjalë, për teza dhe qëndrime që Rusia, Kina dhe Serbia i përdorin prej vitesh.

Edi Rama nuk duhet të shfaqë solidaritet me ata që cenojnë parimet bazë të botës perëndimore dhe që, duke u mbështetur në këto teza, përpiqen ta delegjitimojnë pavarësinë e Kosovës, edhe kur bëhet fjalë për mikun e tij Zelenski. Ata që kanë ndjekur politika të tilla antiperëndimore nuk kanë përfunduar mirë.

Në vend që të lëshojë akuza të sajuara kundër “nacionalistëve shqiptarë”, Rama do të duhej të shpjegonte përse Kievi e la njëanshmërisht Kosovën jashtë dy samiteve të fundit “Ukrainë–Evropë Juglindore”, të zhvilluara në Odesa më 11 qershor 2025 dhe në Kiev më 15 korrik 2026.

Kosova kishte marrë pjesë në tri samitet pararendëse, të mbajtura në Dubrovnik, Tiranë dhe Athinë.

A e ka pyetur ndonjëherë Edi Rama mikun e tij Zelenski për arsyen e përjashtimit të Kosovës nga këto dy takime?

A nuk do të ishte më dinjitoze t’i thoshte: “Pasi, me kërkesën e Vuçiqit, e përjashtove Kosovën nga takimet në Odesa dhe Kiev, as Shqipëria nuk do të marrë pjesë”?

Ai nuk veproi kështu dhe kjo nuk e nderon.

Edhe më pak nder i bën shpikja e “nacionalistëve shqiptarë”, të cilët kanë kryer vetëm një “mëkat”: kanë mbrojtur dinjitetin e Kosovës përballë deklaratave skandaloze dhe përllogaritjeve meskine të mikut të tij, Volodimir Zelenski.

Nëse Edi Rama mendon se mbrojtja e Zelenskit i ka siguruar ndonjë përfitim në Perëndim, atëherë përllogaritja e tij është krejtësisht e gabuar.

Përse?

Sepse qëndrimet e Zelenskit ndaj Kosovës përputhen plotësisht me pozicionet e Serbisë, Rusisë dhe Kinës. Rama duhet të distancohet pa asnjë paqartësi nga këto qëndrime antikosovare dhe antiperëndimore. Në të kundërt, me vetëdije ose pa vetëdije, ai rrezikon të kthehet në bashkëpjesëmarrës në legjitimimin e tyre.

Kjo është pikërisht ajo që kanë bërë personat të cilët Rama i etiketon si “nacionalistë shqiptarë”: ata janë distancuar nga pikëpamjet e Zelenskit, që janë të njëjta me ato të Rusisë, Kinës dhe Serbisë.

Tashmë i takon Edi Ramës të na e thotë hapur: në cilën anë qëndron?

të fundit

Arsenali hedh poshtë propozimin e Milanit për Ethan Nwanerin

Kampioni i Ligës Premier, Arsenali ka refuzuar një ofertë të fundit nga Milani për lojtarin e tyre të gjithanshëm, Ethan…

2 minutes ago

PDK-ja dhe Aleanca rikthehen në Kuvend pa u thirrur seancë

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës po qëndrojnë edhe të premten në Kuvendin e Kosovës, ndonëse as…

3 minutes ago

Criminal Charges Filed Against Three People from the Skopje Region

Njësia për Krime të Dhunshme - Departamenti për Krime të Dhunshme në SPB Shkup ngriti një kallëzim penal me procedurë…

19 minutes ago

VLEN Asks: Are Ahmeti’s Hints About Leaving Politics Linked to Artan Grubi?

Aktakuza ndaj Artan Grubit i ka ndezur gjakrat në BDI. Frika nga kujtesa e tij po e bën të vetën,…

19 minutes ago

Bosnian Islamic Preacher Expected to Be Deported from Kosovo, Islamic Community Denies Prior Knowledge of Visit

Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova, pasi një ditë më parë…

20 minutes ago

Prosecution Seeks Pretrial Detention for Fehim Sali and Reveals Espionage Suspicions

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë t’i caktojë masën e paraburgimit Fehim Salit, i arrestuari…

20 minutes ago