Ardian Gjini, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njoftoi se Këshilli i Përgjithshëm, i formuar pas zgjedhjeve të brendshme, ka miratuar me votë përbërjen e re të Kryesisë dhe ka ngritur strukturat e reja partiake.
Të lidhura
None found
Në kuadër të këtij procesi janë themeluar dhe funksionalizuar Këshilli i Kryetarëve të Degëve, Këshilli i Nderit, Kolegjiumi i Ekspertëve të Aleancës, Kolegjiumi i Anëtarëve të Kuvendeve Komunale dhe Kolegjiumi i Drejtorëve të Aleancës.
Sipas Gjinit, këto vendime përbëjnë një etapë me rëndësi për fuqizimin e strukturave të AAK-së dhe përgatitjen e saj për sfidat politike të ardhshme. Ai deklaroi se Aleanca do të vijojë angazhimin për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të fuqishme, duke u mbështetur te vlerat, përvoja dhe përkushtimi i anëtarëve të saj.
Gjini shkroi në Facebook se Kryesia e sapozgjedhur ndërthur përvojën me energjinë e re dhe synon t’i drejtojë me përgjegjësi proceset politike e organizative të Aleancës. Ai i uroi të gjithë të zgjedhurit dhe u dëshiroi sukses në përgjegjësitë e reja.
