Pas rezultateve zgjedhore, në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shtuar zërat që kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqja. Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas një takimi të zhvilluar me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, duke e cilësuar këtë hap si standard të përgjegjësisë politike dhe si reflektim të domosdoshëm ndaj mesazhit që qytetarët dhanë përmes votës.
Një kërkesë e ngjashme ka ardhur edhe nga dega e LDK-së në Pejë. Pas mbledhjes së Kryesisë dhe shqyrtimit të rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, kjo degë bëri të ditur se “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.
Sipas tij, LDK hyri në zgjedhjet e 7 qershorit me ambicie të mëdha, sidomos pas angazhimit të Vjosa Osmanit, por rezultati nuk përmbushi pritjet. Ai vlerëson se partia mbeti sërish pas PDK-së dhe se rritja e arritur ishte e vogël, çka sipas tij nuk mund të paraqitet si sukses politik.
“Zgjedhjet e 7 qershorit të shkuar ishin test për të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë Vetëvendosjen, PDK-në dhe AAK-në. Por Lidhja Demokratike krijoi ndoshta pritshmëri të skajshme, ndërkohë që pati shumë pak rritje, duke qëndruar për të disatën herë në vendin e tretë. Gara e Lidhjes Demokratike nuk ishte që të arrinte vendin e parë në skenën politike të Kosovës. Ishte për të kapur vendin e dytë dhe ky rezultat do ta çertifikonte atë si parti të sukseshme. Por këto pritshmëri nuk u realizuan.
Është e natyrshme që anëtarësia e Lidhjes Demokratike të përjetojë një zhgënjim tjetër pas rezultateve të dobëta të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025. Më 7 qershor pritej shumë më tepër, sepse u mendua se kalimi i ish-presidentes Osmani në radhët e Lidhjes Demokratike do të sillte një kapërcim spektakolar, që së paku LDK të kapërcente Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo nuk ndodhi. Rritja ishte e papërfillshme, me vetëm 3 deputetë. Nuk dihet nëse këta tre deputetë janë produkt i imazhit të zonjës Osmani apo i lidershipit të Abdixhikut. Megjithatë kushdo mund ta interpretojë në mënyrën e vet. Edhe sikur të jetë rezultat i figurës së ish-presidentes, sërishmi nuk thotë ndonjë gjë interesante”, u shpreh ai.
Bytyçi tha më tej se gjatë fushatës së fundit, LDK u paraqit me një lidership të dyfishtë, ku krahas Lumir Abdixhikut ishte edhe Vjosa Osmani. Sipas tij, të dy dolën bashkë para elektoratit, përcollën të njëjtat mesazhe dhe u shfaqën si një ekip i unifikuar, por pa arritur të bindin votuesit dhe pa prodhuar një rezultat të dukshëm.
Profesori thekson se pikërisht pas këtij rezultati janë rritur kërkesat për analizë dhe llogaridhënie në parti. Në qendër të kritikave, sipas tij, është Abdixhiku, ndërsa lë të kuptohet se edhe Osmani ka pjesën e saj të përgjegjësisë për ecurinë e dobët në zgjedhje.
“Lidhja Demokratike në fushatën zgjedhore të kaluar pati një dyshe në lidership, përveç kryetarit edhe ish-presidenten. Vjosa dhe Lumiri u panë kudo bashkë, dorë për dorë. Folën gjithmonë njëri pas tjetrit në çdo aktivitet electoral. Dhanë të njëjtat mesazhe, u betuan për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por premtimet dhe angazhimet e tyre nuk ngjitën, nuk krijuan besueshmëri te elektorati. Për këtë arsye ata nuk arritën që të realizojnë një fitore të dukshme dhe domethënëse. Për këtë arsye dega e LDK-së në Pejë dhe ajo në Lipjan kanë kërkuar analizë dhe përgjegjësi, që besoj se përkthehet edhe dorëheqje e lidershipit. Po kush duhet të dorëhiqet? Natyrisht që kryetari Lumir Abdixhiku. Ai ndodhet në pozitën më të vështirë, pasiqë po i kërkohet dorëheqja së paku pas dy fushatave elektorale.
Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2026 ai i rrëshqiti përgjegjësisë, duke u rivotuar për kryetar të LDK-së, pra duke marrë votëbesimin e Kuvendit të saj. Nuk dha dorëheqje të parevokueshme. Siç bëjnë thuajse të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare e të tjera në rajonin tonë. Tani është e dyta herë që ndodhet para të njëjtës situatë. A do ta tolerojnë anëtarët e LDK-së edhe në këtë rast? Nuk besoj. Kur miqtë e tij në Pejë kanë mendim që Abdixhiku të vihet para përgjegjësisë, do të thotë se pakënaqësia ndaj tij është e dukshme. Ndërsa Vjosa nuk përmendet. Por duket qartë se edhe ndaj saj ka kritika dhe rezerva të mëdha. Edhe ajo është përgjegjëse po aq sa Lumiri për dështimin elektoral të 7 qershorit”, shpjegon ai.
Sipas Bytyçit, Abdixhiku tashmë përballet me një barrë të dyfishtë: jo vetëm me rezultatin e dobët, por edhe me mënyrën si e afroi Vjosa Osmanin pranë vetes, në një lëvizje që, siç thotë ai, u kundërshtua nga shumë anëtarë të LDK-së.
“Ajo që e bën interesante kësaj radhe përgjegjësinë për këtë dështim lidhet me faktin se kryetari i LDK-së u vu në sprovë me aleancën e tij me ish-presidenten Osmani, e cila ishte e konestuar nga shumë anëtarë të LDK-së për shkak se ajo bëhej përgjegjëse për rezultatet e kaluara të dobëta elektorale. Pra kësaj radhe kryetari Abdixhiku do të përballet me dy përgjegjësi, për dështimin dhe për mënyrën authoritative me të cilën tërhoqi zonjën Osmani në krah të tij. Kjo e bën më interesante kësaj radhe kritikën ndaj lidershipit. Do të shohim se si do të zhvillohen diskutimet, por nuk shoh se mund të përdoret ndonjë alibi e qëndrueshme për këtë rezultat të dobët zgjedhor”, thotë profesori.
Në fund, ai e përshkroi gjendjen politike si kaotike dhe tha se kjo po shfrytëzohet nga aktorë të caktuar. Sipas tij, në këtë situatë përfshihet edhe Përparim Rama, ndërsa pretendon se PDK synon të pengojë krijimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit, nga frika se LDK mund të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen. Bytyçi shton se si rrugëdalje mund të shërbejë një kompromis politik për të shmangur zgjedhje të reja.
“Situata është kaotike dhe këtë situatë kaotike po përpiqen ta shfrytëzojnë elementët si Përparim Rama, me qëllim që të bllokojnë ndërtimin e institucioneve të reja të shtetit, përkatësisht zgjedhjen e presidentit të Republikës. Është dora e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë rrëmujë kaotike. PDK ka frikë se LDK do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen dhe për pasojë dëshiron që Abdixhiku të largohet e në vend të tij të vijë kumbari i koalicionit të qeverisjes në Prishtinë, Përparim Rama. Të shohim si do të shkojë. Por të gjitha gjasat janë të shkohet drejt bojkotit. Në këtë rast kam një këshillë për Albin Kurtin: – Përzgjidh një kandidat nga opozita, pa lejen e kryetarëve, me kushtin që ky kandidat të garantojë edhe 18 vota tjera opozitare për zgjedhje e presidentit të vendit. Kushdo që të jetë ai. Ramush Haradinaj ose Arsim Bajrami, kjo nuk ka rëndësi. Vendi nuk duhet të shkojë sërishmi në zgjedhje të reja”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.
