Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka cilësuar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Të lidhura
None found
Sipas këtij instituti, përfundimi i afatit të detyrueshëm prej 30 ditësh e ka gjetur Kuvendin ende të pakonstituuar.
“LVV-ja nuk e shfrytëzoi brenda këtij afati të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pasi afati përfundoi, ajo përsëri refuzoi të paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e zgjatur me vetëdije bllokadën institucionale”, thuhet në vlerësimin e KDI-së.
KDI thekson se zhvillimet e fundit nuk mund të trajtohen më vetëm si një përplasje politike mes subjekteve parlamentare.
“Përfundimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka hapur një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e procedurës që duhet të ndiqet më tej. Paraqitja me vonesë e një kandidature, një ndërprerje tjetër prej 48 orësh apo një marrëveshje e mundshme politike nuk i zhdukin vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit”.
Sipas institutit, pasojat e kësaj situate nuk mund të përcaktohen në mënyrë të njëanshme nga asnjë subjekt politik dhe as të zgjidhen duke krijuar një fakt të kryer.
“Përcaktimi i tyre është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, e cila është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës”.
KDI kërkon që së paku dhjetë deputetë t’i drejtohen pa vonesë Gjykatës Kushtetuese, duke referuar vendimet dhe veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit. Instituti propozon që Gjykata të japë përgjigje për disa çështje themelore:
– nëse mosushtrimi brenda afatit i të drejtës për propozim e ka përfunduar mandatin e kësaj përbërjeje për ta mbyllur procesin e konstituimit;
– çfarë vlere juridike kanë veprimet e kryera pas përfundimit të afatit;
– si dhe cila procedurë kushtetuese duhet të ndiqet në vazhdim, përfshirë mundësinë e hapjes së rrugës drejt zgjedhjeve të reja.
“Kosovës i duhen institucione të krijuara mbi një zgjidhje kushtetuese dhe jo përmes improvizimeve politike, në mënyrë që çdo veprim i mëtejshëm të mbështetet në Kushtetutë dhe të mos krijojë precedentë të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve të Republikës”.
