Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Pejës ka vënë para drejtësisë katër persona, të identifikuar me inicialet T.B., A.J., A.K. dhe V.D. Ata përballen me akuza për kryerjen e veprave penale të “Grabitjes”, “Vjedhjes së rëndë” si dhe “Ndihmës në kryerjen e veprës penale të Grabitjes”.
Të lidhura
None found
Dosja e prokurorisë përshkruan se më 28 janar 2026, T.B. dhe A.J. kishin shfrytëzuar kërcënimin me një armë të rrezikshme për të marrë 1,040 euro nga një sportel transfertash monetare në qytetin e Pejës.
Po ashtu, T.B. dhe A.K. janë të implikuar në një tjetër ngjarje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, kur dyshohet se grabitën shumën prej 620 eurosh nga një farmaci.
Hetimet kanë zbuluar se i njëjti T.B. ka kryer edhe veprën e vjedhjes së rëndë, duke u përpjekur të depërtonte me forcë në një farmaci. Më vonë, ai dyshohet se vodhi të holla dhe një aparat celular nga një lokal tjetër, duke lënë pas edhe dëme materiale.
Sa i përket të pandehurit V.D., prokuroria pretendon se ai u ka ofruar ndihmë autorëve të grabitjes së 28 janarit, duke iu zotuar për strehim pas kryerjes së krimit dhe duke i transportuar me makinën e tij.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës i ka rekomanduar Gjykatës Themelore në Pejë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të marrin dënimet e merituara sipas ligjit në fuqi.
