Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit në Beograd të Ratko Mlladiqit, kriminelit të dënuar për gjenocid.
Të lidhura
None found
Sipas Kamberit, pamjet e ceremonisë përbëjnë një tregues se ideja e “Botës serbe” po merr formë në Ballkan, nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian dhe të komunitetit ndërkombëtar.
“Mbi Ballkan po shfaqet një fantazmë e re: fantazma e ‘Botës serbe’.
Varrimi i kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mladiq, e dëshmon se kjo fantazmë po bëhet realitet para syve të BE-së dhe mbarë botës.
Kur shteti, kisha dhe elita politike në Beograd bashkohen për t’i bërë nderime ushtarake një të dënuari për gjenocid, mesazhi nuk përfaqëson vetëm një nostalgji të shëmtuar, por edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kamberi.
Reagimi i deputetit shqiptar erdhi pas ceremonisë së varrimit të Mlladiqit në Beograd, e cila shkaktoi reagime edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
