Një punëtor ka humbur jetën dhe një koleg i tij është plagosur pas shembjes së një vinçi në një punishte përgjatë rrugës “A” në kryeqytet. Inspektorati Qendror i Punës ka dalë me informacione zyrtare për ngjarjen e rëndë.
Sipas këtij institucioni, tragjedia ndodhi teksa po instalohej një vinç në kantierin e kompanisë “Vëllezërit Asllani”.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e tyre thuhet se punimet në atë subjekt ishin ende në fazën e hapjes së themeleve, prandaj inspektorati nuk kishte kryer më herët ndonjë vizitë kontrolli. Lidhur me shkakun e aksidentit, autoritetet theksojnë se është ende shpejt për të dalë me një vlerësim përfundimtar. Rrethanat dhe natyra e rastit kërkojnë hetime të thelluara dhe ekspertiza shtesë për të identifikuar arsyet e sakta të rrëzimit, si dhe për të përcaktuar nëse u respektuan rregullat e sigurisë në punë.
Inspektorati bën të ditur se ekipet e tij shkuan pa vonesë në vendin e ngjarjes dhe po vijojnë procedurat inspektuese në bashkëpunim me organet e tjera përgjegjëse.
Në reagimin e tij, Inspektorati Qendror i Punës i shprehu ngushëllimet më të thella familjes së viktimës, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij, teksa i uroi shërim sa më të shpejtë punëtorit që mbeti i lënduar gjatë këtij incidenti fatal.
