Inspektorati Qendror i Punës ka dhënë sqarime për rastin në Prizren, ku një person humbi jetën pasi ra nga kulmi i një shtëpie.
Të lidhura
None found
Sipas informacionit të publikuar, të dhënat e para tregojnë se viktima nuk kishte statusin e punëtorit.
“Sqarim lidhur me rastin e ndodhur në Prizren. Mbrëmë, rreth orës 19:00, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës. Nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor”, thuhet në njoftim.
Ngjarja ka ndodhur në një pronë private, ku po zhvilloheshin punime për renovimin e kulmit. Sipas Inspektoratit, viktima nuk ishte pjesë e procesit të punës, por vëllai i pronarit të shtëpisë.
IQP ka bërë të ditur gjithashtu se nuk është konstatuar asnjë marrëdhënie kontraktuale ndërmjet investitorit dhe punëkryesit, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune sipas përcaktimeve ligjore.
