I jepet lamtumira e fundit artistit Arlind Gjikolli

I është dhënë sot lamtumira e fundit në varrezat e qytetit të Pejës, artistit dhe drejtorit menaxhues të Telegrafit, Arlind Gjikolli.

Arlnd Gjikolli, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 41-vjeçare.

Në ceremoninë e varrimit të themeluesit të grupit WNC nga Peja dhe Drejtorit Menaxhues të Telegrafit, ishin të pranishëm miq, kolegë, qytetarë të shumtë të Pejës dhe gjithë Kosovës, personalitete të jetës politike dhe kulturore.

Në emër të kolegëve, artistëve, përfaqësuesve të medias dhe redaksisë së Telegrafit, i fundit nga i ndjeri Arlind Gjikolli, u nda Fitim Behluli – kryeredaktor i ‘RADIO 1’ mik dhe shok i të ndjerit.

“Lajmi i rëndë u kumtua mbrëmë, iku për në botën tjetër, artisti që i dha dimension tjetër rep muzikës shqiptare duke bërë kthesën e madhe në vitin 1999, e për të bërë epokë. Universit nga mbrëmë iu shtua një yll, e ne në tokë, humbëm një mik shumëdimensional”, tha Behluli.

“Gjikla, që nuk njihte humbje – Kjo e natës së shkuar të 5 dhjetorit ishte beteja e parë dhe e fundit që do ta humbje! Por, edhe këtu ike duke u mbajtur trim, edhe ne vdekje! Arlind, të gjithë ne jemi bijtë e vdekjes, por ikja e hershme po na i rëndon plagët”.

“Të dashur qytetarë, sot po e përcjellim për në banesën e fundit, në qytetin e tij të lindjes dhe të zemrës, Giiklen, njeriun fisnik, djaloshin rebel, e patriot, dhe të guximshëm që sa herë fliste … dhe kishte shumë për të treguar! Si univers në vete që ishte, njohuritë e tij shpesh herë kanë befasuar të tjerët!”, tha Behluli.

“Për të gjithë ata që të njohën nga afër apo që të ndjen nga larg, buzëqeshja ishte karakteristikë e fytyrës tënde të pastër, e buzëqeshja nuk do te thotë se je gjithmonë i lumtur, por se je gjithmonë person i fortë”.

“Sot po e përcjellim djalin e ri, i cili edhe po ikën bukur, PO, PO, sepse po ikën me ato virtyte që e karakterizuan që nga fëmijëria, e hershme; Shpirti luftarak, mendimi ndryshe, kritika me vend, gjunjëzimi veç para argumenteve – këto ishin personaliteti i Arlindit për çdo respekt! Të lumtë! Peja do të të mbajë në mend për krejt dashurinë që ja fale, e shqiptarët për muzikën që ua dhurove”, tha mes tjerash Fitim Behluli, i cili lexoi edhe letrën lamtumirëse të Telegrafit, ku i ndjeri Gjikla, shërbeu në pozitën e drejtorit menaxhues në dhjetë vitet e fundit.

Telegrame ngushëllimi nga jeta institucionale e politike e Kosovës drejtuan edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Hajrulla Çeku, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, shefja e Gr. Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri dhe personalitete të shumta nga jeta kulturore dhe artistike.

Ata që patën fatin ta njohin Gjiklen, do ta kujtojnë përherë si një njeri të mirë, të buzëqeshur, të afërt, të dijshëm dhe mbi të gjitha si njeri të sakrificave, tek i cili secili mund të llogariste për këshilla dhe për ndihmë.

Largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë.


Shtuar 6.12.2022 22:32