Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, deklaroi se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar të mbahet nesër, nuk përballet me ndonjë problem kushtetues.
Të lidhura
None found
Gjatë diskutimit për afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Hyseni shpjegoi se neni 66 nuk cakton një kohë të detyrueshme brenda së cilës duhet të mbyllet seanca konstituive.
“Nuk ka, nuk ka dilema kushtetuese. Nuk ka asnjë dilemë kushtetuese sepse neni 66 i Kushtetutës është shumë i qartë. Domethënë neni është shumë i qartë, nuk parasheh afate, nuk parasheh pasoja”, tha Hyseni në RTK Prime.
Sipas profesorit, afati prej 30 ditësh i përmendur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i referohet një çështjeje konkrete të vitit të kaluar dhe nuk mund të zbatohet drejtpërdrejt në rrethanat e tanishme, të cilat ai i konsideron të ndryshme.
“Aktgjykimi i referohet një rasti konkret të vitit të kaluar… Tani nuk jemi tek kjo rrethanë. Tani jemi tek faza e parë, vetëm hapi i parë është kryer, ai i betimit”, u shpreh ai.
Hyseni theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, megjithatë nënvizoi se vendimi i vitit të kaluar nuk mund të merret automatikisht si referencë për situatën aktuale.
