Hovenier flet rreth takimit Gjuriq-Radojiçiq: Qëndrimi i ShBA i qartë, ai është një kriminel që duhet të japë llogari

nga Shpend Limoni/Express

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Hovenier në një përgjigje për Gazetën Express, të dielën, ka folur me tone te ashpëra rreth takimit të Marko Gjuriq, ambasadorit të deritashëm të Serbisë në SHBA dhe Milan Radojiçiq i kërkuar nga Interpoli në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

Fotografia Gjuriq- Radojiçiq u publikua dhe qarkulloi mbrëmë në profile të ndryshme në platformën X. Sot takimi u konfirmua nga vetë Gjuriq. Hovenier ka theksuar se “jemi në dijeni të raportimeve të mediave për takimin e pretenduar”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoicic është i njohur. Z. Radoicic është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, ka thënë Hovenier në një përgjigje për Gazetën Express.

“Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës” ka shtuar ai.

Tutje Hovenier rikujton se SHBA ka një pikëpamje të qartë për Radoiçiq. “Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Hovenier.

Marko Gjuriq po përflitet si mandatar për formimin e qeverisë së re të Serbisë pas zgjedhjeve atje.

Radoiçiq i cili e ka pranuar se ka qenë në krye të sulmuesve në Banjskë, ishte ndaluar nga policia serbe më 24 shtator të vitit të kaluar, por pas pak ditëve Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja një ditë pas marrjes në pyetje. Që nga atëherë, Radoiçiq është i lirë në Serbi. Në reagimin e tij për takimin, Gjuriq ka thënë se as nuk e fsheh e as nuk turpërohet dhe se lidhet me “punën që e bën”.

Gjuriq ka thënë po ashtu se publikimi i fotografisë lidhet me kthimin e tij në politikë të përditshme.


Shtuar 10.03.2024 17:39