Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se shteti do të ofronte ndihmë për një varrim “dinjitoz” të Ratko Mlladiqit, në rast se një gjë të tillë do ta kërkonte familja e tij.
Të lidhura
None found
Hoti ka theksuar se Vuçiqi, i cili ka qenë ministër në qeverinë e Slobodan Millosheviqit, sot në krye të Serbisë, është shprehur i gatshëm të mbështesë ceremoninë mortore të Mlladiqit në Serbi. Ai kujtoi se Ratko Mlladiqi është dënuar nga Haga me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte të kryera gjatë konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Nuk më habit dëshira e Vuçiqit për një varrim ‘dinjitoz’ të Mlladiqit. Ajo që vazhdon të më habisë është fakti se, në vitin 2026, në qendër të Evropës, ekziston ende një shtet që nuk është përballur përfundimisht me të kaluarën e vet. Në këtë vend kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen, ndërsa presidenti i nderon në mënyrë ‘dinjitoze’ persona të dënuar për gjenocid”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për bashkëpunimin e Serbisë në politikën e jashtme me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si edhe për furnizimin me armë nga këto shtete.
Sipas Hotit, Serbia, në vend që të përballej me izolim dhe sanksione, ka avancuar në procesin e integrimit evropian dhe ka hapur dhjetëra kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Për cilat vlera evropiane mund të flitet në këtë rast? Çfarë përfaqëson sot Serbia për botën perëndimore dhe Bashkimin Evropian në aspektin e vlerave evropiane dhe demokratike? Mendësia e errët kriminale, e frymëzuar ende nga xhelatët e viteve ’90, vazhdon të jetë e pranishme në Beograd”, ka deklaruar Hoti.
