Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë që grupi parlamentar i kësaj partie të mbështesë Bekim Sejdiun për postin e Presidentit, nëse për këtë kandidaturë arrihet një marrëveshje me partitë e tjera, përfshirë PDK-në.
Të lidhura
None found
Sipas Hazirit, çështja kryesore nuk është emri i Sejdiut, të cilin e cilësoi kandidat me kredibilitet, por mungesa e një dakordësie që do të garantonte unitetin në votim.
“Nuk është çështje e emrit të Bekim Sejdiut, as e tij si kandidat i propozuar dhe me kredibilitet. Problemi qëndron te mosarritja e një konsensusi që do ta siguronte unitetin e votimit dhe, në të ardhmen, edhe unitetin e popullit”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse LDK-ja do ta ruante mbështetjen për Sejdiun edhe në rast se do të arrihej marrëveshje me partitë e tjera, Haziri theksoi se në këtë proces duhet të llogariten 18 deputetë.
“Mos na ndani, ne jemi 18. Kemi një dallim, një rast të veçantë, por LDK-ja e vlerëson demokracinë dhe bashkohet edhe përkundër dallimeve. Ajo ishte vetëm një episod i ndodhur në një rast kur kishte mospajtime”, tha ai.
