Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës që t’i bashkohen vazhdimit të seancës konstituive.
Të lidhura
None found
Ajo deklaroi se kishte tentuar të zhvillonte një takim me përfaqësuesit e PDK-së për të gjetur një zgjidhje lidhur me postin e nënkryetarit, por përpjekja e saj nuk ishte pranuar.
Vlora Çitaku, e propozuara e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen në këtë detyrë.
Haxhiu u bën thirrje deputetëve të PDK-së të kthehen në seancë
“Grupi parlamentar i PDK-së nuk ndodhet në sallë, ndërsa tashmë kemi arritur te radha e tyre. Për këtë arsye, i ftoj deputetët të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive dhe po presim që të vijnë. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ua ofrova mundësinë të propozonin një kandidat tjetër ose ta rikthenin të njëjtën kandidate. Megjithatë, deputeti Mërgim Lushtaku, i cili ishte i pranishëm, nuk paraqiti asnjë propozim. Pas ndërprerjes së punimeve të seancës konstituive, u përpoqa të takohem me përfaqësuesit e PDK-së, por kjo nuk u bë e mundur. Sipas qëndrimeve të shprehura prej tyre, ata thanë se nuk do të marrin pjesë në seancë dhe se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Haxhiu vlerësoi se PDK-ja po e refuzon ushtrimin e të drejtës së saj dhe, për këtë arsye, e vijoi procedurën duke kaluar te propozimi për nënkryetarin nga radhët e LDK-së.
Haxhiu: PDK-ja nuk po e ushtron të drejtën për të propozuar nënkryetarin
“Vlerësoj se PDK-ja po refuzon ta përdorë të drejtën kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit, ndaj tani po vazhdoj me grupin parlamentar të LDK-së”, u shpreh ajo.
Përveç deputetëve të PDK-së, në sallën plenare mungojnë edhe deputetët e Aleancës.
