Dyshimet për ekzistencën e një varreze të dytë masive rikthejnë në kujtesë peshën e krimeve të kryera gjatë luftës dhe tregojnë se drejtësia nuk është vendosur ende plotësisht, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Të lidhura
None found
Në një reagim në “Facebook”, Haxhiu theksoi se vendosja e sovranitetit dhe e rendit kushtetues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përtej përgjegjësisë institucionale, ka qenë kusht i domosdoshëm për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur me dhunë, për të zbuluar varrezat masive dhe për t’ua kthyer familjeve mbetjet mortore të viktimave.
Ajo shprehu mirënjohje dhe mbështetje të plotë për institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë personat e angazhuar me përkushtim e profesionalizëm në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.
Sipas Haxhiut, puna e tyre përbën një kontribut të çmuar në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Ajo vlerësoi se çdo varrezë që zbulohet e afron të vërtetën, por njëkohësisht dëshmon se plagët e luftës do të vazhdojnë të mbeten të hapura deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve për këto krime.
Haxhiu shprehu gjithashtu solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e njerëzve të tyre më të dashur. Ajo siguroi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe për nderimin me dinjitet të kujtimit të viktimave.
