Daut Haradinaj ka reaguar pas mobilizimit të shqiptarëve në diasporë dhe protestave të organizuara në mbështetje të krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, ai e ka çmuar angazhimin e mërgatës shqiptare, të cilën e ka përshkruar si një shtyllë thelbësore në përpjekjet për liri gjatë luftës dhe si një zë të fuqishëm edhe në ditët e sotme.
Haradinaj ka shkruar se, në periudhën më të vështirë, kur shpresa kishte nevojë për mbështetje, vëllezërit dhe motrat në diasporë u shndërruan në shtyllën, zërin dhe përkrahjen më të madhe për çlirimin.
Sipas tij, diaspora shqiptare është vënë përsëri në lëvizje, duke treguar se mbetet ngushtë e lidhur me fatin e Kosovës.
Ai ka deklaruar se mërgata po rikthehet me të njëjtin zjarr dhe përkushtim, duke dëshmuar përmes veprave, zërit dhe zemërgjerësisë se nuk është vetëm vëzhguese e historisë, por edhe gardiane e saj.
Haradinaj ka nënvizuar se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit po dalin në përkrahje të Kosovës, lirisë dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ai ka shtuar se diaspora po dëshmon se qëndron përkrah qytetarëve, lirisë, shtetit të Kosovës dhe çlirimtarëve që dhanë gjithçka për këtë ditë.
Në përmbyllje të reagimit, Haradinaj e ka falënderuar mërgatën shqiptare për mobilizimin dhe mbështetjen e treguar.
Sipas tij, liria ka emër dhe ai emër është edhe Mërgatë e sakrificë, ndërsa pas saj qëndron një popull i tërë, në Kosovë dhe në çdo cep të botës, i cili po e mbron me krenari dhe dinjitet Luftën Çlirimtare dhe UÇK-në. Haradinaj ka falënderuar diasporën, duke theksuar se bashkimi i shqiptarëve ka bërë që asnjë sfidë të mos i thyejë më parë dhe se nuk do t’i thyejë as sot.
