Haradinaj akuzon Kurtin për “tradhti”: “Pas kaq shumë vitesh pavarësi solli dokument me Rezolutë 12/44”

Krejt kasta e pushtetit, tha Haradinaj në një intervistë në Kanal 10, “i kanë nda rolet në menaxhim të dëmit…qysh m’e e ba ma pak të dhimbshme” përmbajtjen e draft-Statuti të autonomisë serbe në Kosovë.

Haradinaj pati akuza të rënda ndaj drejtuesve të tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit – Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca dhe Presidentes Vjosa Osmani – për të cilat tha se “vetëm për pak vota” janë në gjendje “të shkaktojnë edhe luftë…për të mirëmbajtur popullaritetin e tyre”.

“Ky njeri (Albin Kurti) i solli Kosovës dokument me Rezolutë 12/44 në Preambulë dhe ka fytyrë me i dal para partisë së vet dhe me ju thanë është sukses”, tha Haradinaj duke komentuar një adresim të Kurtit para partiakëve të vet të cilëve u tha ase “Marrëveshja Bazike përbën suksesin më të madh” të Kosovës në politikën e jashtme.

Pas kaq shumë vite pavarësie të Kosovës, u ra toneve alarmante Haradinaj, “ky njeri…i solli Kosovës dokument jo me fusnotë por me 12/44”.

Në atë që ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, insiston dhe beson që draft-Statuti është “fuqishëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, Haradinaj ishte mëse i prerë në kundërvlerësim.

“Le ta harron çdokush këtë që mendon se një dokument mund të jetë në përputhje me Kushtetutën duke u thirrur në Rezolutën 12/44”, tha ai.

“Kushtetuta e Kosovës dhe Rezoluta 12/44 e përjashtojnë njëra tjetrën…nuk ka mundësi që këto dy dokumente të bëhen bashkë”.

Krejt problemin si erdhi deri te ky dokument, sipas Haradinajt, është kursi i ndjekur i Kurtit në veri dhe mospropozimi i një draft-Statuti siç është kërkuar vazhdimisht prej aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Mosveprimi më jep dyshime shumë të forta në treshe Kurti-Osmani-Konjufca se këta nuk përfaqësojnë interesat nacionale të Kosovës. Këta e kanë veç një qëllim, m’e rujt bazën elektorale si me u siguru që qoftë edhe në dëm të interesave nacionale ose të sigurisë, me rujt vota”.

“Ne jemi në rrezik prej këtyne njerëzve që dojnë m’ei rujt votat edhe duke e rreziku Kosovën, sigurinë e Kosovës, duke e rreziku aleancën me aleatët e sigurisë – për m’e i rujt votat e marrin në qaf popullin dhe sigurinë e Kosovës; janë duke e bë, duke mos dhënë propozimin për Asociacionin këta e kanë marrë në qaf vendin, kanë bë dëme e do t’i shohim në vazhdimësi”, vazhdon Haradinaj.

Madje, Haradinaj “treshen Kurti-Osmani-Konjufca” i quan “të sinkronizuar” me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Këta janë në marrëveshje me Vuçiqin – Kurti Osmani Konjufca Kusasri Lila me përgjimet – këta kanë marrëveshje; këta do të bëjnë çmos që m’e shpëtu aleatin e tyre me incidente në veri; kanë me bë çmos…Është një treshe që punojnë në sinkron me Vuçiqin, propozimi ameirkan i tabelave, i përmbylljes së marrëveshjes së dialogut, nuk ka qenë me lëshu pe, por mos me i dhanë asnjë shkas dikutj me e destabilizu Kosovën”, ka thënë ai.

Madje, sipas tij, “këta janë në gjendje me shkaktu një luftë veç m’e rujt popullaritetin e tyre”.

“Kosova është peng i këtyre njerëzve…Radojçiqi t’uj i pa këta; se çfarë takitika kanë këta; sjelljen e tyre me aleatët e sigurisë i kanë trimëru ato m’ei ba këto veprime…Serbisë i konvenon mos m’e ec rajoni as ka BE as ka NATO; dhe i konvenon me na mbajt çështje të hapur dhe i ka më të mirët partnerë potencialë këta 3 njerëz që për pak vota bëjnë gjithçka”, ka thënë Ramush Haradinaj.


Shtuar 22.12.2023 00:46