Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbledhur Grupin Parlamentar të kësaj force politike për t’i informuar anëtarët rreth takimit që zhvilloi një ditë më parë me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Duke folur para gazetarëve, Hamza theksoi se qëndrimi i PDK-së nuk ka të bëjë vetëm me interesat e kësaj partie, pasi sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës qëndron mbi çdo organizim politik.
Ai shtoi se Kosova është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
Hamza: Nëse dikush tjetër synon zgjedhje të reja, kjo është çështje tjetër
“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është kjo nuk është për PDK-në. Sepse UÇK është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po thoshim: me u aprovu ligji në të dyja leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti e me i shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është send tjetër,” deklaroi Hamza.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para fillimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe Kryesisë, u shpreh se partia e saj nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësisë shtetërore.
Musliu theksoi se po përpiqen të bëjnë më të mirën për Kosovën.
Musliu: PDK nuk i ka ikur kurrë përgjegjësisë shtetërore
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën as sot. Jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën. Në rrethanat të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën, prandaj në vazhdën e angazhimit tonë kemi dhe takimin e sotëm,” tha Musliu.
Ajo njoftoi se pas përfundimit të takimit do të japë detaje mbi diskutimet, por theksoi se çështja që nuk pret është ligji për Dhomat e Specializuara.
Musliu: Ligji për dhomat e specializuara nuk pret, çështjet e tjera mund të presin
“Tani hipotetike asnjë përgjigje nuk ju jap unë. Kur të dal prej mbledhjes ju tregoj çfarë kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jemi futur në mbledhje është kjo. Tani edhe njëherë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e institucionale, jemi duke u munduar, në rrethanat të cilat jemi, jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është ligji për dhomat e specializuara, të tjerat presin,” shtoi ajo.
Takimi i së hënës mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk solli ndonjë marrëveshje.
Përveç çështjes së presidentit, PDK-ja po këmbëngul që deri më 6 tetor Kuvendi i Kosovës të miratojë në dy lexime Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili u procedua nga qeveria të premten.
Ndërkohë, në një vendim të datës 23 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht, ditën kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.
