Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se afatet e përcaktuara me Kushtetutë për konstituimin e Kuvendit nuk janë zbatuar. Sipas tij, kjo lidhet edhe me mungesën e hapave konkretë drejt zgjedhjes së presidentit.
Të lidhura
None found
Para gazetarëve, Hamza kritikoi mungesën e një dakordësie politike për postin e presidentit, duke theksuar se prej 7 gushtit nuk është bërë asnjë përpjekje serioze dhe konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ai falënderoi deputetët që mbështetën deklaratën për UÇK-në, ndërsa nënvizoi se mbrojtja e luftës për liri dhe pavarësi nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi e PDK-së.
“Deklarata politike! Jam mirënjohës dhe i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklaratës për UÇK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç PDK-ja me folë për një luftë të drejtë të imponuar për liri dhe pavarësi”, tha Hamza.
Duke iu referuar deklaratës së Kuvendit për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, kreu i PDK-së deklaroi se kjo çështje nuk duhet të përdoret për interesa politike.
Hamza vlerësoi se ligji duhet të garantojë zhvillimin e proceseve në Hagë në mënyrë të drejtë.
“Ligji kërkon dhe do drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë si pjesëtarë apo udhëheqës të ndonjë subjekti politik. Janë si pjesë më e ndritshme e historisë sonë, as për trafikim organesh, as për asgjë tjetër”, deklaroi ai.
Sipas tij, ndryshimet ligjore synojnë t’u japin Dhomave të Specializuara mundësinë për të nxjerrë vendime dhe rezultate të drejta.
Ai paralajmëroi se mosmiratimi i ligjit në të dy leximet, i shoqëruar me shkuarjen e vendit në zgjedhje, do ta kthente të gjithë procesin në pikën e nisjes.
“Nëse ligji nuk aprovohet në të dy leximet, përfundimisht nuk prodhon efekt juridik. Po që se nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet në pikën fillestare. Mundem me numëru hapa sa duash. Mundemi me numëru se unë kam taku të gjitha partitë politike për këtë ligj; asnjë përfitim nuk e kemi marrë”, u shpreh Hamza.
Hamza kundërshtoi gjithashtu ndërlidhjen e miratimit të këtij ligji me zgjedhjen e presidentit, duke thënë se dy proceset nuk duhet të kushtëzohen nga njëri-tjetri.
Kreu i PDK-së kërkoi që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të shqyrtohen si çështje më vete, pa u lidhur me procesin politik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
