Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kundërshtuar përsëri kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për ta lidhur miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Të lidhura
None found
Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushtin për postin e presidentit, duke e paraqitur këtë si parakusht për miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Specialen.
Hamza deklaroi se çështja nuk duhet të shndërrohet në një marrëveshje të minutës së fundit dhe akuzoi kryeministrin se po përpiqet ta përdorë ligjin si mjet presioni për të arritur një objektiv politik.
Sipas tij, synimi është që përmes kësaj çështjeje të krijohet një president politik dhe të përfundojë kapja e institucioneve shtetërore. Hamza theksoi gjithashtu se ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i përket vetëm PDK-së.
Kreu i PDK-së tha se partia e tij nuk do të pranojë shantazhe politike gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit dhe kundërshtoi ndërlidhjen e votimit të ligjit me emrat e propozuar për postin e kreut të shtetit.
Hamza bëri të ditur se palët kanë zhvilluar vazhdimisht takime dhe bisedime, por sipas tij, serioziteti i procesit vihet në dyshim nga qëndrimet e ndryshme të shprehura gjatë ditës.
Ai tha se në komunikimin e fundit, të zhvilluar në mesditë, e kishte informuar Kurtin se PDK-ja mund ta mbështeste ligjin në lexim të dytë dhe se diskutimi për presidentin mund të zhvillohej më pas.
Hamza e cilësoi të papranueshme që një ligj për një çështje madhore të kushtëzohet me zgjedhjen e presidentit. Ai vuri në dukje se, ndërsa LDK-së dhe PDK-së u është thënë se nuk mund të ketë president politik, vetë janë propozuar kandidatë që ai i konsideron qartësisht politikë.
Sipas tij, emrat e propozuar kanë qenë pjesë e diskutimeve edhe më herët, por nuk është arritur marrëveshje dhe vendi ka përfunduar në zgjedhje. Hamza tha se presidenti mund të ishte zgjedhur, por vetëm përmes një marrëveshjeje dhe jo duke imponuar një emër me formulën “merre ose lëre”.
Ai ngriti pyetjen përse kjo mënyrë komunikimi nuk është zhvilluar para tri apo dhjetë ditësh, apo një ditë më herët, por vetëm paraditen e së njëjtës ditë. Sipas Hamzës, në orët e mbrëmjes po kërkohet një adresë për të shpjeguar pse nuk po arrihet kapja e të gjitha institucioneve.
