Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, deklaroi se çdo vendim për lejimin e qarkullimit të automjeteve në Urën e Ibrit duhet të merret vetëm pas diskutimeve me të gjithë hisedarët relevantë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ura aktualisht është e hapur për këmbësorët dhe përdoret rregullisht nga qytetarët. Guerot kujtoi se e ka kaluar shpesh atë, ndërsa gjatë festivalit në Mitrovicë vitin e kaluar kishte parë familje që kalonin nëpër urë me karroca fëmijësh. Ai theksoi se situata nuk është më ajo e së kaluarës, pasi ura është funksionale për këmbësorët.
Ambasadori francez në largim nënvizoi se çështja e hapjes për automjetet duhet të shqyrtohet me banorët e zonës, zyrtarët e zgjedhur, policinë dhe KFOR-in, i cili, sipas tij, do të vijojë të ketë një rol të përgjithshëm në Kosovë. Guerot tha se mënyra se si arrihet te vendimi mund të jetë më e rëndësishme se vetë vendimi dhe se ky proces duhet të zhvillohet në konsultim me të gjithë hisedarët.
Guerot e përshkroi gjendjen e sigurisë si më të qetë, por ende të brishtë. Ai vlerësoi kontributin e KFOR-it gjatë 26 viteve të fundit në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ambasadori sqaroi se vlerësimet e fundit mund të çojnë në uljen ose optimizimin e mëtejshëm të vëllimit të pranisë së KFOR-it, por kjo nuk nënkupton tërheqjen e tij. Sipas Guerot, KFOR-i do të mbetet një element kyç për Kosovën dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa një situatë më e qetë, edhe pse fragjile, përbën një shenjë pozitive.
