Olivier Guerot, ambasadori i Francës në Kosovë, foli edhe për zhvillimet politike dhe mungesën e funksionimit institucional në vend. Ai deklaroi se gjatë katër viteve të mandatit të tij ka zgjedhur të mos ndërhyjë me komente në politikën e brendshme të Kosovës dhe se nuk ka ndërmend ta ndryshojë këtë qëndrim as në përfundim të detyrës së tij.
Të lidhura
None found
Sipas tij, funksionimi i institucioneve është një nevojë e domosdoshme për Kosovën, sidomos në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
“Gjatë katër viteve të fundit nuk kam komentuar politikën e brendshme dhe nuk do ta bëj këtë as në orët e fundit të mandatit tim. Për të ecur përpara, veçanërisht drejt BE-së, Kosovës i duhen partnerë funksionalë në institucione. Nevojiten presidenti dhe Kuvendi”, u shpreh ambasadori.
Guerot vlerësoi se ngërçi institucional po e frenon avancimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk po ia atribuoj përgjegjësinë ndonjë partie të caktuar, por si diplomat i huaj po evidentoj një fakt të qartë: bllokada e dy viteve të fundit nuk po i shërben përparimit të Kosovës drejt BE-së”, përfundoi ai.
