Sonte, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist realizoi grafite në kryeqytet, duke reaguar ndaj humbjes së jetës së një punëtori në një vendpunishte në Prishtinë.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e tyre shprehet se me dhembje dhe indinjatë panë sot një tjetër ngjarje tragjike të një kapitalizmi të ashpër e vrasës, që shkaktoi edhe një viktimë nga kantieret e ndërtimit, duke lënë pas të plagosur të tjerë.
“Mafia e ndërtimit prej kohësh po ndërton godina mbi gjakun e punëtorëve, ndërsa shteti bëhet ortak në forcimin e pushtetit dhe shtypjen kriminale të klasës punëtore. Në një shtet që më së paku u takon punëtorëve, për kapitalistët mafiozë njerëzit janë flijimi për fitim, të sakrifikuar për të ushqyer lakminë e tyre për përfitim e grumbullim. Të nënpaguar, të keqtrajtuar dhe të shtrënguar të punojnë edhe në temperatura përvëluese, punëtorët e ndërtimit jetojnë në kufi të mbijetesës. Krejt kjo ndodh teksa institucionet shtetërore herë shiten, herë qëndrojnë indiferente ndaj fatit të mbarë klasës punëtore”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet se realiteti i sotëm si punëtore/ë përjetohet përmes shtypjeve të shumëfishta që burojnë nga partneriteti kapital-shtet, ndërsa dëgjojmë për tragjeditë rreth nesh dhe pushteti vazhdimisht përpiqet të na hutojë nga mjerimi kolektiv duke shpallur armiq fiktivë. Kushtet materiale që i shtyjnë shumë prej nesh drejt marrëdhënie pune çnjerëzore dhe skajeve të ekzistencës janë emëruesi i përbashkët i gjendjes sonë kolektive, shtohet në reagim.
“Prandaj, sonte ripohojmë se duhet të mobilizohemi për të marrë në dorë fatin tonë dhe t’iu kundërvihemi çdo pushteti që na nënshtron përmes shpërfilljes e dhunës, duke vrarë disa prej nesh dhe duke i lënë të tjerët të rraskapitur e të shtypur. Organizimi ynë duhet të jetë ai që mbron jetën dhe dinjitetin përballë klasës kapitaliste”, përfundon deklarata e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
