Glauk Konjufca pritet të dalë sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të zhvillohet rigjykimi për rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Të lidhura
None found
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:30. Në të pritet të marrë pjesë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Rasti lidhet me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur Konjufca, atëherë deputet, dyshohet se hodhi gaz lotsjellës gjatë një seance në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim me ligjin.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017, e ngarkon atë me dy vepra penale.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, tymi i shkaktuar nga gazi përfshiu sallën dhe e bëri të pamundur qëndrimin e pjesëmarrësve, të cilët u detyruan të largoheshin nga ambienti i Kuvendit.
Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Konjufcën nga akuza për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, pasi kishte vlerësuar se nuk ishte dëshmuar kryerja e kësaj vepre penale.
Për akuzën tjetër, atë për “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte konstatuar se vepra ishte parashkruar.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rigjykim.
