Categories: kosovë

Gjykata rrëzon votimin e raundit të dytë për anëtarët e KGjK-së nga Supremja, kërkon certifikimin e raundit të parë për Memajn dhe Thaqin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në dobi të gjyqtares Mejreme Memaj në kontestin administrativ ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke vlerësuar se raundi i dytë i votimit për përzgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGjK-së nga Gjykata Supreme ishte në kundërshtim me ligjin dhe duke urdhëruar që të certifikohet rezultati i raundit të parë.

Të lidhura

None found

Në aktgjykim, gjykata ka konstatuar se padia e Mejreme Memajt është e bazuar. Sipas vendimit, interpretimi i KGjK-së për mënyrën se si duhej të llogaritej shumica ka qenë i pasaktë dhe nuk ka ekzistuar bazë e mjaftueshme ligjore për të kaluar në një raund të dytë votimi.

Gjykata ka vlerësuar se rezultati i vlefshëm ishte krijuar që në raundin e parë, ku Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kishin marrë nga 17 vota secili, duke përmbushur kushtet për t’u konsideruar të zgjedhur.

Për këtë arsye, janë anuluar edhe vendimet e KGjK-së nr. 38/2026 dhe nr. 39/2026 të datës 29 janar 2026, përfshirë këtu edhe certifikimin e rezultatit të dalë nga raundi i dytë.

Sipas aktgjykimit, KGjK-ja detyrohet që brenda 15 ditësh të nxjerrë një vendim të ri administrativ dhe të certifikojë rezultatin e raundit të parë, sipas të cilit Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi shpallen anëtarë të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

Po ashtu, gjykata ka urdhëruar që Mejreme Memajt t’i paguhen shpenzimet e procedurës në shumën 2,750.34 euro.

Ky vendim ende nuk është përfundimtar dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.

Çështja lidhet me procesin zgjedhor të zhvilluar më 23 janar 2026 për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit nga radhët e Gjykatës Supreme. Në atë votim morën pjesë 34 nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote.

Nga 34 fletëvotimet e hedhura, 33 rezultuan të vlefshme dhe një e pavlefshme. Pas numërimit, Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kishin fituar nga 17 vota secili, ndërsa Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri nga 16 vota.

Komisioni zgjedhor kishte arsyetuar se asnjë kandidat nuk kishte siguruar shumicën e kërkuar, ndaj kishte vendosur të vazhdohej me raundin e dytë. Në këtë raund, Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri morën nga 19 vota secili, ndërsa Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni nga 15 vota. Më pas, KGJK kishte certifikuar Thaqin dhe Zhitia-Ymerin si anëtarë të rinj.

Më 18 shkurt 2026, Mejreme Memaj, përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, kishte ngritur padi duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të KGJK-së të 29 janarit 2026, me të cilin ishte certifikuar rezultati përfundimtar i raundit të dytë.

Ajo kishte kërkuar njëherësh që i vlefshëm të njihej vetëm rezultati i raundit të parë, sipas të cilit fitues duhej të shpalleshin ajo dhe Rrustem Thaqi.

Në pretendimet e saj, Memaj kishte theksuar se në raundin e parë kishte marrë 51.52% të votave të vlefshme dhe se shumica duhej të llogaritej vetëm mbi votat e vlefshme, e jo mbi votat e pavlefshme apo mbi numrin total të pjesëmarrësve.

Sipas padisë, Komisioni zgjedhor kishte vepruar në mënyrë arbitrare kur kishte vendosur që procesi të kalonte në raundin e dytë, duke shkelur Rregulloren për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së, si dhe praktikat kushtetuese të përmendura në rastet KI34/17 dhe KI55/17.

Memaj kishte argumentuar se ajo dhe Rrustem Thaqi e kishin arritur shumicën e nevojshme që në raundin e parë dhe se vendimi për vazhdimin e votimit me një raund të dytë i kishte cenuar një të drejtë të fituar në procesin zgjedhor.

Në të njëjtën kohë, ajo kishte kërkuar edhe pezullimin e zbatimit të vendimit të KGjK-së, me arsyetimin se ekzekutimi i tij do të sillte dëm të pariparueshëm për integritetin e saj profesional dhe për të drejtat kushtetuese.

Nga ana tjetër, KGjK kishte kundërshtuar padinë, duke pretenduar se për zgjedhje nevojiteshin 18 vota dhe se kjo shumicë duhej të llogaritej mbi numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve në votim, duke përfshirë edhe votën e pavlefshme.

Sipas qëndrimit të KGjK-së, askush nga kandidatët nuk e kishte arritur këtë prag në raundin e parë, prandaj zhvillimi i raundit të dytë kishte qenë i domosdoshëm dhe në përputhje me rregulloren.

Edhe Franciska Zhitia-Ymeri, në cilësinë e personit të tretë, kishte përkrahur qëndrimin e KGjK-së, duke theksuar se vota e pavlefshme nuk mund të përjashtohej nga baza për llogaritjen e shumicës dhe se i gjithë procesi ishte zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe kushtetuese.

Gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Ajo kishte paraqitur gjithashtu kërkesë për masë të sigurisë, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshillit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Meqë të dy ishin zgjedhur në raundin e dytë, paditësja Memaj kishte kërkuar që të certifikohej rezultati i raundit të parë dhe që ajo së bashku me Thaqin të zgjidheshin anëtarë, pasi sipas saj kishin marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hedhur poshtë si të palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke certifikuar kështu rezultatin zgjedhor të mbajtur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGjK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërsa gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq, procesi i votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026 dhe, pas përfundimit të raundit të dytë për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri ishin zgjedhur anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar.

të fundit

Apartment prices in Skopje continue to rise

Çmimet e banesave në Shkup kanë vijuar të rriten edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, sipas të dhënave…

1 minute ago

Mexhiti: The Ministries of Justice, Culture and Inter-Community Relations carry key weight in improving the position of Albanians

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se marrja e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë…

1 minute ago

Reshuffle in North Macedonia’s Government Expands to Deputy Ministers and Heads of Institutions

Rikonstruimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk do të kufizohet vetëm në nivel ministrash, por pritet të shtrihet edhe…

2 minutes ago

Taravari: The EU Is the Only Hope Against Emigration, 200,000 Macedonians Already Have Bulgarian Passports

Integrimi në Bashkimin Evropian është shpresa e vetme për shpëtim nga emigrimi masiv dhe zbrazja demografike e vendit. Ky është…

2 minutes ago

Aga Ibush, the oldest known resident of Chair in Skopje, dies at the age of 107

Ka ndërruar jetë në moshën 107-vjeçare Aga Ibush, i cili njihej si banori më i moshuar i komunës së Çairit…

2 minutes ago

Mother of 14-year-old stabbed in Skopje seeks reclassification of case: “This is not violence, but attempted murder”

Nëna e 14-vjeçarit që u sulmua me thikë në lagjen Hasanbeg të Shkupit ka kërkuar që rasti të rikualifikohet si…

3 minutes ago