Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, ka bërë të ditur se Gjykata e ka refuzuar padinë e ngritur ndaj tij nga ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Të lidhura
None found
Sipas Mehanit, padia e paraqitur nga Haxhiu dhe avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, ka qenë e stisur dhe pa bazë, ndërsa vendimi i gjykatës ka qenë në favor të tij.
Mehani pretendon se gjatë kësaj vere është përballur me sulme fizike, procedura gjyqësore dhe kritika në media, të cilat, sipas tij, kishin për qëllim ta dëmtonin shpirtërisht dhe ta denigronin.
Në postimin e tij, ai ka përmendur emrat e Sami Lushtakut, Nuredin Lushtakut, Bekim Haxhiut, Hysni Gucatit, Berat Buzhalës dhe Lirim Mehmetit. Po ashtu, ai ka përmendur edhe persona të tjerë, mes tyre Ganjën, Blertën dhe Mergimin, si dhe të gjithë grupin parlamentar të PDK-së, deri te kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza.
“Gjykata e ka hedhur poshtë padinë e ish-deputetit Bekim Haxhiu kundër meje”, ka shkruar Mehani, duke e cilësuar akuzën si një përpjekje për ta dënuar përmes një padie “pa takt dhe të stisur”.
Ai ka thënë se, pavarësisht situatës që e konsideron të pashpresë, ka njerëz që kanë shpëtuar edhe pasi janë goditur nga plumbi. Mehani ka shtuar se beson se, së bashku me Skënderajn, do t’ia dalë të kapërcejë atë që e quan “mendësi shpellarësh”, duke iu referuar bindjes se në Skënderaj duhet të ekzistojë vetëm një parti.
