Donika Gërvalla ka reaguar pas rastit të rëndë, në të cilin një grua në të 80-at dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj.
Të lidhura
None found
Duke e dënuar fuqishëm aktin, ajo deklaroi se dhuna ndaj një gruaje dhe, aq më tepër, marrja e jetës së saj nuk mund të arsyetohen nga asnjë rrethanë, shkak apo marrëdhënie.
Gërvalla e cilësoi dhunën ndaj grave si një alarm për mbarë shoqërinë, përballë të cilit heshtja nuk mund të jetë zgjedhje. Sipas saj, përgjigjja duhet të jetë e qartë dhe e vendosur: “ZERO TOLERANCË”.
Ajo u kërkoi qytetarëve të mos qëndrojnë të heshtur kur përballen me dhunë në familje, por të denoncojnë çdo kërcënim, keqtrajtim ose tregues dhune.
“Një telefonatë mund të shpëtojë një jetë”, theksoi Gërvalla, duke bërë apel për reagim sa herë që dikush dëshmon një rast dhune ose vëren shenja që mund ta vënë në rrezik jetën e një personi.
Sipas saj, dhuna nuk mund të konsiderohet një “çështje familjare”, pasi raste të tilla kërkojnë ndërhyrje dhe mbrojtje.
“Dhuna ndaj grave është alarm për të gjithë shoqërinë. Përballë saj nuk ka vend për heshtje”, shkroi Gërvalla.
Në përfundim, ajo u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimës, duke nënvizuar se dhimbja e tyre i përket të gjithë shoqërisë.
