Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka dënuar ashpër ceremonitë shtetërore dhe ushtarake të zhvilluara në Beograd për ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq. Ai u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Gërvalla i cilësoi nderimet si një përpjekje të hapur për rehabilitimin politik të një personi përgjegjës për krimet më të rënda të luftës.
Të lidhura
None found
Sipas saj, në ceremonitë për Mlladiqin morën pjesë ministra të qeverisë së Serbisë, djali i presidentit, ambasadori i Rusisë, deputetë të partisë në pushtet dhe lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik.
Ajo theksoi gjithashtu se trupi i Mlladiqit u transportua nga Haga në Beograd me avion shtetëror dhe se në ceremoni mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq. Gërvalla kujtoi se Vujiq, disa javë më parë, kishte premtuar publikisht “nderime të larta shtetërore dhe ushtarake” për një person të dënuar për gjenocid nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara.
Gërvalla tha se Mlladiq vdiq në qeli, aty ku, sipas saj, duhet të qëndrojnë kriminelët, ndërsa Beogradi e priti me nderime shtetërore dhe ushtarake, përfshirë edhe krisma nderi mbi arkivolin e tij.
Ministrja u shpreh se ministri serb i Drejtësisë nuk duhet të lejohet më të ulet në asnjë tryezë ku diskutohet drejtësia, qoftë në Bruksel, Berlin, Strasburg apo në cilindo vend tjetër. Ajo nënvizoi se drejtësia nuk mund të trajtohet si një kapitull negociues që hapet dhe mbyllet në varësi të interesave politike.
Sipas Gërvallës, Bashkimi Evropian nuk mund të vijojë të qëndrojë i heshtur dhe të mos shohë veprimet e Serbisë. Ajo argumentoi se çështja kryesore nuk është më vetëm sjellja e Beogradit, por edhe kohëzgjatja e tolerimit të saj nga Brukseli.
Ministrja deklaroi se Serbia prej vitesh është mësuar me tolerancën e BE-së dhe me trajtimin si partnere, edhe kur kalon vijat e kuqe. Në vlerësimin e saj, kjo qasje ka ndikuar që Beogradi sot të mohojë hapur gjenocidin dhe të nderojë personin që e kreu atë.
Ajo vuri në dukje kontrastin mes deklarimeve në Bruksel dhe zhvillimeve në Beograd: ndërsa në BE diskutohet për Kapitullin 23, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane, në Serbi u qëlluan krisma nderi mbi arkivolin e një të dënuari për gjenocid dhe ai u shndërrua në figurë nderi.
Gërvalla tha se glorifikimi i personave të shpallur përgjegjës nga drejtësia ndërkombëtare për disa prej krimeve më të rënda të Evropës moderne nuk përfaqëson rrugën drejt Evropës, por një tallje me të.
Ajo theksoi se Serbia nuk po vepron fshehurazi, por me ministrat, strukturat shtetërore dhe simbolikën e saj ushtarake, nën vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
Ministrja e Drejtësisë e dënoi nderimin shtetëror të Mlladiqit në termat më të ashpër politikë dhe moralë, duke e cilësuar atë si fyerje ndaj viktimave, përbuzje të drejtësisë ndërkombëtare dhe një akt të drejtpërdrejtë të rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale.
Gërvalla deklaroi se ky akt duhet të dënohet fuqishëm dhe pa ekuivok, duke shtuar se nuk do të normalizohet kurrë. Sipas saj, ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot janë të njëjtët që do të heshtnin përballë tij edhe nesër.
Ajo e përmbylli reagimin duke thënë se dënimi i këtyre veprimeve nuk bëhet për interesa politike, por në emër të drejtësisë, viktimave dhe së vërtetës, ndërsa kujtesa për viktimat nuk duhet të humbasë kurrë.
