Avokati prizrenas Gent Gjini ka paraqitur kallëzim penal ndaj zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, për shkak të deklaratave të tij lidhur me ripushtimin e Kosovës dhe vendosjen e flamurit serb në Prizren.
Sipas Gjinit, këto deklarime përbëjnë cenim të Kosovës si shtet, ndërsa mund të ndikojnë edhe në sigurinë publike dhe në rendin kushtetues.
Të lidhura
None found
“Deklarata të tilla na prekin si popull, si shtet dhe si komb, duke na vënë në rrezik edhe më të madh, sidomos kur vijnë nga numri dy. Është shumë e lehtë që përmes tyre të lehtësohen objektivat dhe qëllimet e tyre”, deklaroi Gjini.
Avokati kërkoi që Daçiqit t’i ndalohet hyrja në territorin e Kosovës, me theks të veçantë në komunat ku shumicën e përbëjnë serbët.
“E konsiderova të arsyeshme dhe të domosdoshme të paraqes një kallëzim penal ndaj Ivica Daçiqit, me qëllim që atij t’i ndalohet në mënyrë përfundimtare hyrja në territorin e Kosovës, veçanërisht në komunat me shumicë serbe, të cilat ata synojnë vazhdimisht t’i vizitojnë dhe të krijojnë anomali atje”, tha Gjini.






