Zejnulla Gashi, Kryeprokuror i Shtetit, ka përgëzuar institucionet ligjzbatuese të Kosovës për angazhimin dhe punën që çuan në zbulimin e një varreze masive në Zubin Potok. Në këtë lokacion janë gjetur mbetje mortore, ndërsa ekzistojnë dyshime se aty mund të ndodhen edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë publike, Gashi tha se ky zhvillim është pjesë e përpjekjeve të pandërprera institucionale për të sqaruar fatin e personave të zhdukur dhe për të vënë drejtësinë në vend.
Sipas Kryeprokurorit të Shtetit, gjetja e varrezës masive shënon një hap me rëndësi në angazhimin shtetëror për nxjerrjen në dritë të së vërtetës dhe krijimin e mundësive për vendosjen e drejtësisë.
Gashi nënvizoi se hetimi dhe zbardhja e rasteve të këtilla përbëjnë jo vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi institucionale dhe morale karshi viktimave të luftës dhe familjarëve të tyre.
Ai vlerësoi gjithashtu koordinimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe qytetarëve në zonën ku po kryhen gërmimet, duke e konsideruar këtë bashkërendim të domosdoshëm për përparimin e hetimeve.
Kryeprokurori theksoi se mbështetja e institucioneve dhe e qytetarëve është thelbësore si për identifikimin e viktimave, ashtu edhe për zbulimin e personave përgjegjës për këto krime dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.
Gërmimet dhe ekzaminimet në lokacionin e Zubin Potokut pritet të vijojnë, me qëllim që autoritetet të përcaktojnë nëse në atë zonë gjenden mbetje të tjera mortore të viktimave të luftës.
Deri në këtë fazë, në lidhje me këtë zhvillim janë arrestuar tre persona.
