Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca gjyqësore kundër Fatmir Shehollit, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale për vepra penale të spiunazhit dhe shantazhit.
Të lidhura
None found
Sipas aktakuzës, Sheholli pretendohet se deri më 9 tetor 2025 ka qenë i angazhuar si bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke ndjekur udhëzimet e një zyrtari të këtij shërbimi, raporton “Bota sot”.
Prokuroria Speciale thekson se Sheholli dyshohet se ka mbledhur të dhëna në lidhje me veprimtarinë politike, çështjet e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilat më pas ia ka përcjellë zyrtarëve të BIA-s.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se ai dyshohet se ka zbatuar një plan operativ të hartuar nga një zyrtar i BIA-s, me qëllim dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës.
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh, ndërsa me fillimin e seancës gjyqësore pritet të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve në këtë çështje.
Aktakuza përmban pretendimet e Prokurorisë, ndërsa fajësia ose pafajësia e të akuzuarit do të vendoset nga gjykata në përfundim të procesit gjyqësor.
