Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, morën pjesë në “Marshin për Liri”, i cili po zhvillohet sot në Prishtinë.
Të lidhura
None found
Protesta është organizuar në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Mes qytetarëve të mbledhur nga Kosova dhe trevat shqiptare janë parë edhe Haradinaj e Ahmeti. Në aktivitet po marrin pjesë gjithashtu deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me qytetarë dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Deputetët e LVV-së, Shqipe Selimi, Adnan Rrustemi, Driton Hyseni dhe Sali Zyba, janë ndër pjesëmarrësit e marshit.
“Marshi për Liri” po mbahet në prag të vendimit për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Organizatorët kanë kërkuar pjesëmarrje të gjerë, ndërsa në qendër të Prishtinës qytetarët janë grumbulluar me pankarta dhe flamuj në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Aktiviteti vijon në qendër të kryeqytetit, ku priten edhe prononcime nga përfaqësues politikë dhe organizatorë.
