FFK-ja reagon për heqjen e flamurit në Beograd

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas heqjes së simboleve dhe flamurit të saj në Kongresin e 49-të të UEFA-s, i cili është duke u zhvilluar në Beograd. Sipas reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, shteti më i ri i Europës në atë Kongres u përfaqësua me simbolet e saj teksa konfirmoi përshkushtimin e saj për zhvillimin e futbollit dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

“Deklaratat e pabaza të Federatës së Futbollit të Serbisë, që synuan ta paraqesin pjesëmarrjen tonë si diçka jashtë interesit të futbollit, nuk kanë asnjë bazë dhe vetëm sa dëshmojnë tendencën e vazhdueshme të përzierjes së politikës në sport nga ana e Serbisë. FFK-ja gjithmonë ka përfaqësuar interesat e futbollit të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për zhvillimin dhe avancimin e lojës së futbollit, duke mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare”, thuhet fillimisht në deklaratën për shtyp të institucionit më të lartë të topkëmbës kosovare.

Të lidhura

None found

“E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore.

Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, ka përfunduar deklarata e Federatës së Futbollit të Kosovës, që u prezantua e barabartë në shfaqen e simboleve ashtu si të gjitha shtetet e këtij kontinenti në UEFA.


Shtuar 3.04.2025 18:53

Tags: