Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se partia është duke u angazhuar në procedurat dhe përgatitjet organizative për mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm.
Të lidhura
None found
Sipas tij, mbledhja e këtij kuvendi nuk mund të cilësohet domosdoshmërisht si urgjente, megjithëse afati për formimin e institucioneve e imponon një proces të tillë.
“LDK po merret me çështje procedurale që na takojnë edhe sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe me punët organizative në drejtim të organizimit të Kuvendit, në mënyrë sa më të shpejtë edhe sa më efikase, po e quaj kështu, në mënyrë që delegatët me shpreh vullnetin e vet, pas thirrjes së Kuvendit që është bërë prej nënshkruesve që i kanë dorëzuar dje nënshkrimet. Tash, nuk po dua me e cilësuar urgjente si Kuvend, mirëpo sigurisht që na inponon pjesa e datës së konstituimit të institucioneve, edhe pse është përgjegjësi e partisë së parë me filluar punën edhe me i përshpejtuas ato procedura. Por ndryshe, grupi parlamentar është, edhe deputetët janë zgjedhur, dhe po e garantoj që është funksional, po marrë parasysh organizimin e Kuvendit të LDK-së”, tha ai.
Ferati i ka hedhur poshtë edhe raportimet e publikuara dje për një marrëveshje të arritur ndërmjet VV-së dhe LDK-së, sipas së cilës LDK-ja do të merrte tri ministri dhe postin e kryeparlamentarit.
Ai i cilësoi këto raportime si propagandë dhe spekulime pa mbështetje në burime zyrtare.
“Krejtësisht propagandë, spekulim në një nivel jo të mirë, sidomos në kohën kur ndodhi. Pa prapë po e citoj, pa burim të informatës, pa citim të ndonjë eksponenti ose të ndonjë informate zyrtare nga LDK-ja, është spekulim, nuk qëndron. Përndryshe, kryetari i ka deklaruar dje qëndrimet e veta përmes video-mesazhit edhe ka cilësuar nevojën që kemi me pezullu negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, deri sa të zgjidhen çështjet tona të brendshme”, tha ai.
Duke folur për kuvendin e jashtëzakonshëm, Ferati theksoi se ai nuk do të jetë garues, por do të shërbejë si proces votëbesimi për Abdixhikun.
“Thirrësit e Kuvendit e kanë parashtruar kërkesën për çka ata e kanë thirrur Kuvendin. Nuk është Kuvend garues, është Kuvend i votëbesimit, praktikisht. Nuk është Kuvend ku mund të shpallen kandidatura të tjera, praktikisht po flas sipas thirrjes së nënshkruesve që e kanë thirrur Kuvendin”, tha ai.
Në sekretarinë e LDK-së, deri më tani, janë dorëzuar 151 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.
