Federata spanjolle sërish e quan Kosovën “ekipi i federatës”

Kosova të mërkurën luan me Spanjën në “Fadil Vokrri”, ndërsa Federata e Futbollit të Spanjës e përmend fare pak Kosovën në faqen zyrtare. Madje të dielën, njëjtë si para ndeshjes së parë, Kosovës i është referuar si “ekipi i Federatës së Kosovës”.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka kohë që ka trajtim diskriminues ndaj sportistëve kosovarë, të paktën sa i takon prezantimit.

Edhe para ndeshjes së parë, të luajtur në Spanjë, federata e këtij vendi është mundur të shmang maksimalisht përmendjen e Kosovës. Kosovën për transmetimin e brendshëm nuk e ka prezantuar si të gjitha përfaqësueset tjera.

Të dielën Federata e Futbollit të Spanjës në sajtin zyrtar ka publikuar një shkrim për javët vendimtare të kualifikimeve për Botërorin 2022. Dhe në vendin e vetëm ku e ka përmendur Kosovën, i është referuar asaj si “ekipi i Federatës së Kosovës”.