Pretendime të reja mbi personat e dyshuar si autorë kanë risjellë në vëmendje vrasjen e gjashtë të rinjve serbë, të ndodhur më 14 dhjetor 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë.
Të lidhura
None found
Familjet e viktimave, megjithatë, thonë se nuk u besojnë më spekulimeve dhe se presin vetëm dëshmi zyrtare nga institucionet e drejtësisë.
Ivan Niniq, avokati që përfaqëson familjet, i ka kërkuar Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar në Serbi që të marrë në pyetje Radomir Boban Baçeviq. Emri i tij u përmend nga Milosh Medenica, një i dënuar nga Mali i Zi që ndodhet në arrati, si personi që qëlloi drejtpërdrejt në kafenenë “Panda”.
Për portalin Nova, Zvonko Gvozdenoviq, babai i Vukota Gvozdenoviq, i vrarë kur ishte 16 vjeç, tha se familjarët nuk pranojnë më akuza pa mbështetje në prova.
Ai u shpreh se nuk mund ta dijë nëse deklaratat e Medenicas janë të vërteta. Sipas tij, Prokuroria duhet t’i verifikojë ato dhe të përcaktojë nëse kanë ndonjë bazë, ndërsa theksoi se kjo nuk është hera e parë që vdekja e fëmijëve të tyre shfrytëzohet nga dikush.
Gvozdenoviq kujtoi se përgjatë viteve janë lakuar shumë emra si autorë të mundshëm të masakrës, por pa u paraqitur ndonjëherë dëshmi që do ta zgjidhte çështjen.
Familjet, sipas tij, duan prova, identitetin e personave që hapën zjarr dhe emrat e atyre që urdhëruan krimin. Ai sqaroi se nuk kërkojnë emra të përhapur përmes thashethemeve, por vetëm persona përgjegjësia e të cilëve konfirmohet nga Prokuroria.
Ai kritikoi gjithashtu institucionet serbe për ngecjen e hetimeve, duke vënë në dukje se më shumë se një dekadë ka kaluar pa ndonjë rezultat konkret.
Sulmi në kafenenë “Panda” ndodhi më 14 dhjetor 1998, kur persona të armatosur qëlluan me armë automatike brenda lokalit në Pejë, ku ndodheshin të rinj serbë.
Jetën e humbën Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenoviq (16), Zoran Stanojeviq, Svetislav Ristiq (17), Dragan Trifunoviq (17) dhe Ivan Radevićq (25).
Vladimir Lonçareviq dhe Mirsad Shaboviq, pronari i lokalit, mbetën të plagosur rëndë, kurse Nikola Rajoviq mori lëndime të lehta.
Debatet rreth rastit “Panda” janë nxitur ndër vite edhe nga deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në dhjetor 2013, në kohën kur mbante postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Vuçiq deklaroi se shqiptarët nuk e kishin kryer krimin në “Panda” dhe paralajmëroi se publiku do të tronditej sapo të mësonte të vërtetën.
Në fund të vitit 2015, dy vjet pas kësaj deklarate, Vuçiq tha se ishte pothuajse i sigurt për atë që kishte ndodhur në kafene. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur identifikim zyrtar të autorëve dhe rasti vazhdon të mbetet i pazbardhur.
