Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që Kampi “Bondsteel” të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
None found
Gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan George Latimer, Kurti ka diskutuar për këtë çështje, si dhe për sigurinë, bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Sipas kryeministrit, vendosja e një pranie të përhershme ushtarake amerikane do të kontribuonte në paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të rajonit.
Kurti i ka cilësuar Shtetet e Bashkuara aleat të rëndësishëm të Kosovës, duke vënë në dukje edhe mbështetjen dypalëshe që vendi, sipas tij, gëzon në Kongresin amerikan.
“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”.
Eksperti i sigurisë Arben Dashevci e ka cilësuar këtë mundësi si një sukses të madh për Kosovën. Sipas tij, një bazë e përhershme amerikane do të ndikonte në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit afatgjatë në rajon.
Në një prononcim për “Bota sot”, Dashevci ka theksuar se Kosova e konsideron SHBA-në aleat strategjik dhe se vazhdon të synojë anëtarësimin në NATO.
“Shndërrimi i Bondsteel-it në bazë të përhershme ushtarake amerikane është një kërkesë e kahmotshme dhe e vazhdueshme e Republikës së Kosovës. Këtë çështje e kemi diskutuar me kongresistin George Latimer, me shumë kongresistë dhe senatorë nga SHBA-ja, bashkë me aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Republika e Kosovës është aleat strategjik dhe partner i SHBA-së në çdo aspekt. Prania e një baze të përhershme do të nënkuptonte siguri të plotë përballë çdo sfide të mundshme të sigurisë.
Shndërrimi i Kampit ‘Bondsteel’ në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon, do të ishte një arritje e madhe për Kosovën. Vendi ynë është përballur me sfida të shumta të sigurisë, veçanërisht nga Serbia dhe qasja e saj destruktive ndaj Kosovës”, ka thënë Dashevci.
Eksperti vlerëson se një prani e përhershme amerikane do të përbënte një garanci më të madhe për sigurinë e Kosovës.
“Kampi ‘Bondsteel’ është, sipas mendimit tim, ombrella e sigurisë për ne si shtet.
Bondsteel-i duhet patjetër të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, sepse një prani e tillë do ta rriste sigurinë e Kosovës.
Bondsteel-i si bazë e përhershme amerikane në Republikën e Kosovës do të ishte padyshim një garanci edhe më e madhe për sigurinë e vendit”, ka theksuar ai.
Edhe Prof. Dr. Muhamet Racaj ka vlerësuar se shndërrimi i Bondsteel-it në bazë të përhershme amerikane do të rriste sigurinë dhe fuqinë parandaluese në Kosovë. Megjithatë, në bashkëbisedimin me “Bota sot”, ai ka nënvizuar se siguria e vendit duhet të mbështetet njëkohësisht te KFOR-i, FSK-ja dhe integrimi euroatlantik.
“Shndërrimi i Bondsteel-it në bazë të përhershme amerikane do të kishte rëndësi të madhe strategjike për Kosovën dhe rajonin. Prania e përhershme e SHBA-së do ta forconte parandalimin dhe do të përcillte një mesazh të qartë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës.
Sidoqoftë, siguria e Kosovës nuk mund të mbështetet vetëm në një bazë ushtarake. Ajo duhet të ndërtohet mbi praninë e KFOR-it, partneritetin strategjik me SHBA-në, fuqizimin e FSK-së dhe integrimin euroatlantik”, është shprehur Racaj.
Racaj ka shtuar se një Bondsteel i përhershëm amerikan do të ndikonte ndjeshëm në sigurinë e Kosovës dhe në efektin parandalues, por ka bërë dallimin mes kësaj pranie dhe garancisë së Nenit 5 të NATO-s.
“Prania e përhershme amerikane do ta rriste ndjeshëm efektin parandalues dhe sigurinë e Kosovës. Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: prania e përhershme e SHBA-së nuk është automatikisht e barabartë me garancinë e Nenit 5 të NATO-s, pasi Kosova ende nuk është anëtare e Aleancës.
Bondsteel-i i përhershëm amerikan do të ishte një shtyllë shumë e rëndësishme e sigurisë së Kosovës, por garancia më e qëndrueshme afatgjatë mbetet integrimi i vendit në NATO dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në.
Prania amerikane, KFOR-i i fuqishëm, FSK-ja profesionale dhe perspektiva euroatlantike duhet të funksionojnë së bashku si pjesë e një arkitekture të qëndrueshme të sigurisë”, ka përfunduar Racaj në përgjigjen e dhënë për “Bota sot”.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka publikuar një video në rrjetet sociale, e cila ka tërhequr jo pak vëmendjen. Në…
Fituesja e “Big Brother VIP Albania”, Selin Bollati, ka reaguar në rrjetet sociale pas komenteve fyese që ka marrë për…
Kombëtarja e Shqipërisë është nikoqir i Bjellorusisë, në kuadër të ndeshjes së parë për Ligën C të Ligës së Kombeve.“Kuq…
Polonia po i ofron Shteteve të Bashkuara stimuj financiarë dhe mbulimin e kostove të infrastrukturës, në kohën kur Varshava dhe…
Franco Foda iu ka rikujtuar të gjithëve se objektivi i Kosovës është kualifikimi në Kampionatin Evropian “Euro 2028”.“Dardanët” do të…
Një rrugë e re e shpejtë pritet të lidhë Radovishin me kufirin bullgar, përmes Strumicës dhe Novo Sellës. Ministri i…