Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e dy pjesëtarëve të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, të cilët dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat gjatë një operacioni policor në Dren të Zubin Potokut.
Të lidhura
None found
Sipas IPK-së, hetimi paraprak ka nisur disa ditë më parë me detyrë zyrtare, pas raportimeve në media dhe deklaratave publike të 11 gushtit. Këto raportime lidhen me pretendimet e qytetarit N. R. se zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë tejkaluar autorizimet gjatë ndërhyrjes.
Departamenti i Hetimeve i Inspektoratit do të vijojë punën në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe veprimet e zyrtarëve të përfshirë.
Profesorë dhe njohës të sigurisë vlerësojnë se ky rast, sikurse edhe raste të tjera, tregon se mekanizmat mbikëqyrës reagojnë ndaj çdo pretendimi për shkelje, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të qytetarit.
Megjithatë, ata theksojnë se Serbia e përdor çdo rast që lidhet me Policinë e Kosovës apo me institucionet e tjera të vendit për qëllime propagandistike.
“Rasti është në hetim dhe ende nuk ka marrë epilog. Kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, sepse institucionet e Republikës veprojnë konform përgjegjësive dhe kompetencave të tyre, pa e gjykuar rastin nga perspektiva etnike”, ka deklaruar Dorajet Imeri, profesor dhe njohës i çështjeve politike dhe të sigurisë.
Sipas ekspertëve të fushës, zhvillimet dëshmojnë se Policia e Kosovës disponon mekanizma të brendshëm mbikëqyrjeje dhe se përgjegjësia është individuale, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zyrtarë apo qytetarë të një përkatësie të caktuar.
“IPK-ja punon për të gjithë qytetarët e RKS-së, ndërsa monitoron dhe mbikëqyr punën policore. Nga viti 2006 e deri më sot ka trajtuar dhjetëra mijëra raste dhe është vlerësuar si nga qytetarët, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Ndërkohë, disa ditë më parë, në pronën e serbit Nenad Rashkoviq në Zubin Potok është gjetur një armë e tipit AK-47. Dyshimet e hetuesve janë se ajo mund të jetë përdorur në vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999.
Gjetja e armës është përfshirë në hetimet për zbardhjen e krimeve të dyshuara në Kalludër dhe Jabukë. Ajo po i nënshtrohet ekzaminimit forenzik, për të parë nëse përputhet me gëzhojat e zbuluara në lokacionet ku dyshohet për ekzistencën e varrezave masive.
Pamjet e siguruara nga RTK-ja tregojnë se arma ishte fshehur brenda një peme, pranë shtëpisë së Rashkoviqit dhe tri lokacioneve të varrezave masive në Zubin Potok.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka përdorur rastin e Nenad Rashkoviqit për të kritikuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit. Më 12 gusht, ai e vizitoi Rashkoviqin në një spital në Beograd dhe pretendoi se ky i fundit ishte “rrahur pothuajse për vdekje” nga Policia e Kosovës dhe se kjo kishte ndodhur “pa asnjë arsye”.
Por burimet e RTK-së bëjnë të ditur se Rashkoviqi dyshohet se është larguar në drejtim të Serbisë për t’iu shmangur arrestimit nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime të dyshuara lufte.
