Një seri e dyshuar veprimesh, nga telefonatat kërcënuese të personave që paraqiteshin si pjesëtarë të BIA-s serbe deri te dorëzimi i materialeve te gazetari Milaim Zeka, del në pah nga detajet e reja të aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit. Sipas Prokurorisë, qëllimi i publikimit të këtyre materialeve ishte ndikimi para zgjedhjeve lokale.
None found
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se gjatë korrikut të vitit 2025, gjashtë persona që bashkëpunonin me të u telefonuan nga një numër me origjinë nga Serbia.
Telefonuesi, sipas rrëfimit të Rashiqit, u prezantua si pjesëtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA, dhe u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij të shkonin në Beograd.
Mesazhi që ata morën ishte kërcënues: “Unë jam nga BIA, po ju thërrasim për të mirën tuaj që të vini të bisedoni me ne, sepse përndryshe keq për ju”.
Rashiq ka thënë se u kërkoi bashkëpunëtorëve të mos udhëtonin drejt Serbisë dhe të shmangnin çdo takim me personat që i kishin kontaktuar.
Telefonatat u përsëritën
Kontakti nuk u ndërpre pas telefonatës së parë. Një ditë përpara datës kur pritej udhëtimi, bashkëpunëtorët e ministrit u pyetën përsëri nëse do të shkonin në Beograd.
Pas refuzimit të tyre, atyre iu dërguan video-incizime, të cilat pretendohej se përmbanin materiale komprometuese.
Rashiq ka treguar se i këshilloi bashkëpunëtorët të mos reagonin, pasi dyshonte se videot mund të ishin të rreme, të manipuluara ose të montuara.
Si lidhet rasti me Milaim Zekën
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 26 shtator 2025, në Mitrovicën e Veriut, Fatmir Sheholli kishte marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Prokuroria pretendon se këto materiale Sheholli ia dorëzoi më pas gazetarit Milaim Zeka, me synimin që ato të publikoheshin përpara zgjedhjeve lokale.
Kështu, në bazë të dosjes, Zeka përmendet në fund të zinxhirit të dyshuar të materialeve që kishin në fokus Nenad Rashiqin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Përmendja e emrit të Milaim Zekës në aktakuzë nuk do të thotë se ai është i akuzuar për ndonjë vepër penale. Megjithatë, dokumenti ngre pyetje lidhur me atë nëse ai e njihte burimin e materialeve, rrethanat në të cilat i mori ato dhe nëse kishte verifikuar autenticitetin e tyre përpara publikimit.
Aktakuza ia atribuon përgjegjësinë penale Fatmir Shehollit, ndërsa Zeka përmendet vetëm në kuadër të dorëzimit dhe synimit për publikimin e materialeve.
Publikimi në portalin “Pa Rrotulla”
Rashiq ka deklaruar se materialet u shfaqën më vonë në portalin “Pa Rrotulla”, rreth 20 deri në 30 ditë pas telefonatave dhe kërcënimeve të drejtuara ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas tij, ekziston një lidhje mes telefonatave të ardhura nga Serbia, materialeve që iu dërguan bashkëpunëtorëve dhe publikimit të tyre të mëvonshëm.
“Prandaj, besoj se ekziston një ndërlidhje dhe se ne kemi qenë të dëmtuar nga kjo”, ka thënë Rashiq.
Në dëshminë e dhënë në polici, ai ka përmendur edhe nofkën “Panta”, me të cilën, sipas Rashiqit, ishte prezantuar personi që telefonoi bashkëpunëtorët e ministrisë.
Ministri ka deklaruar se episode të tilla nuk janë të pazakonta. Ai ka thënë se periudhat para zgjedhjeve janë shoqëruar në mënyrë të përsëritur me sulme kibernetike, tentativa për rekrutimin e bashkëpunëtorëve, si dhe kërcënime ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Rashiq e ka cilësuar këtë situatë si një “luftë speciale”, e cila, sipas tij, po zhvillohet prej vitesh kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Akuzat ndaj Fatmir Shehollit
Rashiq ka sqaruar se nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me Fatmir Shehollin. Për Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e përshkruan si zyrtar të lartë të BIA-s, ai ka thënë se e njeh vetëm si një person që e kishte takuar para luftës.
Ai është shprehur i gatshëm që të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Fatmir Sheholli akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Aktakuza pretendon se ai ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka mbledhur e përcjellë informacione dhe materiale lidhur me zhvillimet politike dhe institucionet e Kosovës.
Sheholli gëzon prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë që do të vërtetonte fajësinë e tij.
Seanca e parë gjyqësore është caktuar të mbahet më 7 shtator, kur pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor i rastit.
Autostrada Shkup–Bllacë po merr një dimension të rëndësishëm edhe në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Krahas SHA “Granit” si kompani vendore,…
Dy tragjedi brenda një jave kanë kthyer në qendër të vëmendjes dështimin institucional për të mbrojtur jetën e grave. Në…
Cristian Shpendi Cristian Shpendi do të jetë futbollisti më i ri i Cremonese [...]Read More...
Një zhvillim i rëndësishëm institucional për Republikën e Kosovës dhe komunitetin në Baden-Wurttemberg është ngritja e nivelit të përfaqësimit diplomatik…
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e…
Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafa Yuste, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, në…