Gjatë verifikimit të automjeteve që po hynin përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, doganierët veçuan për kontroll një veturë me targa të huaja, e cila drejtohej nga një shtetas i Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të lëshuar për media, udhëtari u intervistua dhe u pyet nëse transportonte mallra ose mjete që kërkonin deklarim, por ai nuk deklaroi asgjë.
Dyshimet e ngritura gjatë kontrollit i shtynë zyrtarët doganorë ta inspektonin automjetin në mënyrë të hollësishme. Brenda tij u zbulua një dylbi e paraparë për përdorim me pushkë snajper, pa dokumentet ose autorizimet përkatëse.
Dogana e ka ndaluar mallin, ndërsa ndaj personit janë zbatuar masat përkatëse. Gjithashtu, është hapur procedurë kundërvajtëse, së bashku me procedura të tjera administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kodi Nr. 08/L-247 Doganor dhe i Akcizave përcakton se mallrat që futen në territorin doganor të Republikës së Kosovës janë subjekt i mbikëqyrjes dhe kontrolleve nga Dogana. Kur parashihet, ndaj tyre zbatohen edhe ndalesa e kufizime që lidhen, ndër të tjera, me sigurinë publike.
