Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të ndjekur përmes ekranit gjigant shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Të lidhura
None found
Trupi Gjykues i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për veprat penale të specifikuara në aktgjykim, duke i dënuar në total me 81 vjet burgim.
Sipas vendimit, Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa po me 25 vjet u dënua edhe Jakup Krasniqi. Kadri Veseli mori 18 vjet burgim, kurse Rexhep Selimi 13 vjet.
Gjykata vendosi që koha e kaluar në paraburgim t’u llogaritet të akuzuarve në kohëzgjatjen e dënimit.
Pas njoftimit të vendimit, sheshi u përfshi nga një atmosferë e rënduar. Qytetarë të shumtë u panë të përlotur dhe të pikëlluar pas dëgjimit të dënimeve.
Reagimet e të pranishmëve në sheshin “Skënderbeu” pasqyrohen edhe në fotografitë e realizuara nga fotoreporteri i Telegrafit.
Rasti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka të bëjë me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të lidhura me ngjarje të ndodhura nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa procedurat e paraqitjes së provave përfunduan në dhjetor të vitit 2025.
