Categories: kosovë

Çfarë pasojash sjell moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës deri në mesnatë?

Deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës u kanë mbetur vetëm pak orë për të përmbyllur seancën konstituive, pasi e premtja shënon ditën e fundit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Të lidhura

None found

Ekspertët e çështjeve juridike, Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, pajtohen se tejkalimi i këtij afati do të përbënte shkelje kushtetuese. Megjithatë, ata kanë qëndrime të ndryshme lidhur me veprimet që mund të ndërmerren më pas.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit do ta vendoste vendin përballë një shkeljeje të rëndë kushtetuese.

Sipas tij, data 7 gusht përbën një afat absolut dhe nuk mund të shtyhet, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton qartë pasojat juridike që do të prodhonte mosrespektimi i tij.

“Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten”, thotë Cakolli.

Më 6 gusht, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e seancës konstituive, duke e arsyetuar këtë me nevojën për më shumë kohë për diskutimet rreth çështjes së presidentit. Ai nuk propozoi emër për kryeparlamentar, duke bërë që procesi i konstituimit të ndërpritej.

Cakolli vlerëson se, nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në mesnatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk do të ketë më bazë kushtetuese për ta thirrur vazhdimin e saj.

“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t’i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, shprehet ai.

Sipas Cakollit, bllokada nuk do të ndikonte vetëm në funksionimin e Kuvendit. Ai thotë se ministrat dhe zëvendësministrat që aktualisht janë në detyrë, pasi kanë bërë betimin si deputetë, nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht të ushtrojnë edhe funksionet ekzekutive.

Për rrjedhojë, ai e cilëson Qeverinë në detyrë të Kosovës si “pa legalitet dhe pa legjitimitet”, ndërsa paralajmëron se vendimet e saj mund të kundërshtohen në gjykata.

Cakolli thotë se rruga e parë juridike pas moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit do të ishte inicimi i një rasti në Gjykatën Kushtetuese. Në planin politik, megjithatë, ai e sheh përfundimin e krizës si pothuajse të paracaktuar.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme, thjesht mbetet të gjendet rruga drejt tyre”, deklaron Cakolli.

Ai shton se Kosova ka humbur tashmë kohë për shkak të krizave institucionale dhe se zgjedhjet e reja do të ishin skenari më i pafavorshëm. Megjithatë, nëse Kuvendi nuk arrin të formohet, Cakolli nuk sheh alternativë tjetër kushtetuese për zgjidhjen e ngërçit.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjithashtu e konsideron shkelje kushtetuese mosrespektimin e afatit për konstituimin e Kuvendit, por ndryshon me Cakollin sa u përket hapave pas mesnatës së 7 gushtit.

Jakaj argumenton se, përderisa nuk është përcaktuar një sanksion i drejtpërdrejtë për moskonstituimin brenda afatit, mbetet e mundur që seanca konstituive të thirret edhe pas 7 gushtit.

“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”.

Ai shfaq rezerva edhe për mundësinë që çështja t’i dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Jakajt, një procedurë e re në Kushtetuese nuk do ta zgjidhte patjetër krizën politike, pasi kjo gjykatë nuk do të kishte çfarë të shtonte përtej konstatimit se “deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të obliguar që të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe që [Kuvendi] është dashur të konstituohet brenda 30 ditëve”.

Megjithatë, Jakaj paralajmëron se vazhdimi i bllokadës mund të sjellë pasoja të rënda.

Ai e lidh krizën e tanishme me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke rikujtuar se ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 6 muaj, pra deri në fillim të tetorit.

Albulena Haxhiu, kryetare e legjislaturës së 10-të, u betua më 6 gusht si deputete e legjislaturës së 11-të. Ajo e ushtron detyrën e Presidentes që nga prilli 2026, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit të Kosovës.

“Ne do të hyjmë në një situatë të cilën nuk e kemi shkelur asnjëherë… kjo do të prodhojë pasoja të cilat ne nuk i kemi parë më herët, dhe të cilat në rendin demokratik lirisht mund të quhen rrënim i demokracisë”, thotë Jakaj.

Ai paralajmëron se, nëse institucionet e reja nuk krijohen deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit, Kosova mund të mbetet pa një autoritet që do të kishte mundësi të shpallte zgjedhjet ose t’ia jepte mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit për kryeministër.

Jakaj u bën thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, krijimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, me qëllim që vendi të mos përballet me atë që ai e quan “anarki institucionale”.

Thirrje për përmbylljen e procesit brenda afatit kushtetues kanë bërë edhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), përmes një reagimi publik, deklaroi “se interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve”.

“Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”, tha GLPS në reagimin e tij./REL

të fundit

Gërvalla: Mbetjet mortore në Zubin Potok janë dëshmi e gjenocidit serb

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për identifikimin e mbetjeve mortore në lokacionin e tretë në Zubin Potok, tha…

2 minutes ago

Deri më 1 korrik, vetëm 15 për qind e të punësuarve kanë përfituar K-15, minimumi është 19.567 denarë

Deri më 1 korrik, regresin për pushim vjetor, pra K‑15, e kanë marrë vetëm 15 për qind të të punësuarve,…

3 minutes ago

Kosovo Records First Case of West Nile Virus in 2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar të premten rastin e parë gjatë vitit 2026 me Virusin…

8 minutes ago

Delay in Constituting the Assembly Warns of a Deepening Political Crisis in Kosovo

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, si hapi i parë drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, është përballur me…

8 minutes ago

Constitutive Session Expected to Continue Tomorrow

Nesër do të vijojë seanca konstituive, e ndërprerë dje, pas kërkesës për afat shtesë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.…

9 minutes ago

PDK and AAK’s refusal to engage in dialogue: Gashi explains the reasons and warns of the risks of new elections

Sonte është afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa edhe pas përpjekjes së tretë, kreu i LVV-së,…

9 minutes ago