Categories: kosovë

Konstituimi i Kuvendit mes afatit të shkelur dhe rrezikut për zgjedhje të reja

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të vijojë të mërkurën, më 09.09, pas ndërprerjeve të njëpasnjëshme të shkaktuara nga mungesa e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e Presidentit të ri. Afati ligjor për përfundimin e konstituimit ka kaluar prej një muaji dhe partitë opozitare e konsiderojnë këtë situatë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Të lidhura

None found

Sipas një vendimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të qershorit. Ky afat përfundoi më 7 gusht. Pavarësisht kësaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë njoftuar se do të jenë të pranishme në seancë, ndërsa Aleanca ende nuk ka marrë një vendim.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e lidh pjesëmarrjen e forcës së tij politike me aktgjykimin që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas tij, vendi duhet ta presë atë datë me një Kuvend të konstituuar.

Hamza akuzon Vetëvendosjen se ka tejkaluar afatin kushtetues duke e caktuar seancën përtej kohës së përcaktuar. Megjithatë, ai thekson se pjesëmarrja e PDK-së nuk nënkupton njohjen e kësaj shkeljeje.

Hamza: Afati kushtetues është shkelur

“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur që në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, deklaroi Hamza. Ai shtoi se PDK-ja nuk mban përgjegjësi për moskonstituimin e deritanishëm të Kuvendit, pasi, sipas tij, deputetët e kësaj partie kanë qenë në Kuvend çdo 48 orë dhe i kanë kërkuar Albin Kurtit të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Edhe LDK-ja ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në seancën e radhës. Kjo parti e sheh praninë e saj si mënyrën e vetme për t’i dhënë funksionalitet institucioneve dhe për të krijuar qartësi juridike mbi situatën.

“Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e tyre. Prandaj, ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi, sa më parë që është e mundshme, dhe institucioneve t’iu kthehet funksionaliteti i tyre”, tha nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku.

Ekspertët e zhvillimeve politike e konsiderojnë tejkalimin e afatit për konstituimin e Kuvendit si shkelje të Kushtetutës. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që monitoron zgjedhjet dhe punën parlamentare, deklaroi se thirrja e seancës pas përfundimit të afatit përbën një shkelje të hapur kushtetuese.

Cakolli: Afati nuk mund të shpërfillet

“Qysh thirret dhe merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar njëherë Gjykatës Kushtetuese për pasojën juridike të shkeljes së afatit, sidomos kur seanca do të mbahet mbi një muaj pas skadimit të afatit tepër të qartë për konstituim sipas aktgjykimit të Gjykatës”, shkroi Cakolli. Ai vlerësoi se një qasje e tillë krijon precedentin që çdo afat kushtetues, kur nuk parashikon qartë një pasojë, të mund të tejkalohet pa u marrë përgjegjësi.

Seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit u mbajt më 12 gusht. Procesi nisi më 6 gusht, kur deputetët e dalë nga zgjedhjet e qershorit bënë betimin. Më pas, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, seanca u ndërpre, pasi ai kërkoi kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike lidhur me Presidentin.

Pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë, konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së Presidentit. Për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohen dy të tretat e votave të Kuvendit me 120 deputetë. Kurti kishte kërkuar shtyrje pasi nuk ishte e sigurt nëse këto vota mund të siguroheshin.

Marrëveshja politike ende nuk është arritur

Pas konstituimit të Kuvendit mbetet e paqartë nëse do të vijojë menjëherë procedura për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Vetëvendosjes, kishte arritur një marrëveshje me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbështetjen e një kandidati konsensual për President.

Por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan publikisht kandidaturën e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu. Për pasojë, sigurimi i 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e tij tashmë duket i pamundur. Edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun dhe se gjatë këtij mandati do të qëndrojnë në opozitë.

Pas përfundimit të mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, detyrën e kreut të shtetit po e ushtron Albulena Haxhiu, ish-kryetare e Kuvendit. Mandati gjashtëmujor i ushtrueses së detyrës përfundon më 4 tetor. Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton se çfarë ndodh pas skadimit të këtij afati.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë thënë se Haxhiu do t’ia dorëzojë detyrën ushtruese kryetarit të ri të Kuvendit, i cili pritet të zgjidhet pas konstituimit të këtij institucioni. Njohës të çështjeve juridike, megjithatë, vlerësojnë se një kalim i tillë i detyrës nuk është i përcaktuar askund.

Moszgjedhja e Presidentit mund të sjellë zgjedhje të reja

Edhe nëse Kuvendi konstituohet dhe formohet qeveria e re, dështimi për të zgjedhur Presidentin do ta çonte sërish Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme. Deri tani, nga 120 deputetë, kandidatura e Bekim Sejdiut ka siguruar vetëm 74 vota. Ky numër është i pamjaftueshëm, pasi në dy raundet e para kërkohen të paktën 80 vota.

Kosova ndodhet për herë të dytë brenda këtij viti dhe për herë të tretë në më pak se dy vjet përballë përpjekjes për të krijuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të përsëritura parlamentare. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të tetë qershorit u zhvilluan pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Presidentin e ri. I njëjti skenar mund të përsëritet nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit. / DW

të fundit

Berisha kërkon shkarkimin e menjëhershëm të zyrtarëve përgjegjës pas vrasjes në Pejë

Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të gjithë zinxhirit të përgjegjësisë institucionale pas rastit në Pejë,…

3 minutes ago

Presidentja Shiroka-Pula rikthen në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara, ja arsyetimi

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke u mbështetur…

4 minutes ago

Shiroka-Pula përshëndet fitoren e dy deputetëve shqiptarë në zgjedhjet e Serbisë

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka uruar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për fitimin e dy mandateve në Kuvendin e Serbisë,…

4 minutes ago

SHBA-ja mund të nisë sulme të gjera ndaj Iranit brenda 96 orëve pas urdhrit të Trumpit

Forcat amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme janë të përgatitura për të nisur operacione të reja ushtarake, potencialisht në…

7 minutes ago

Friedrich Merz përshëndet rizgjedhjen e Lula da Silvës dhe kërkon forcimin e lidhjeve Gjermani–Brazil

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka uruar Luiz Inácio Lula da Silvën për rizgjedhjen e tij si president i Brazilit, duke…

7 minutes ago

Holanda synon të reduktojë 25 mijë vende pune në administratën publike për të kursyer 3.5 miliardë euro

Holanda planifikon të shkurtojë rreth 20% të vendeve të punës në sektorin publik gjatë dekadës së ardhshme, në një përpjekje…

7 minutes ago