Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur mbështetje për familjet e personave që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe në Kosovë, Agnes Annells, familje të personave të zhdukur, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë Albin Kurti, si dhe partnerë ndërkombëtarë.
Të lidhura
None found
Në një mesazh të publikuar nga Ambasada Britanike, theksohet se Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqishëm një qasje ndaj trashëgimisë së luftës e cila i vendos viktimat në qendër.
Sipas deklaratës, “kjo duhet të kërkojë të vërtetën, të ruajë dinjitetin dhe të sigurojë përkujtimin për të gjithë ata që janë prekur”.
Ambasada britanike nënvizoi se qëndrimi pranë familjeve të personave të zhdukur mbetet i rëndësishëm, sepse ato vazhdojnë prej vitesh të përballen me dhimbje dhe pasiguri për fatin e të afërmve të tyre.
Ndërkaq, edhe Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur mbështetjen për familjet e të zhdukurve.
I Ngarkuari me Punë i BE-së në Kosovë, Boguslaw Gertruda, iu bashkua Haxhiut dhe Kurtit në homazhet për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.
“E vërteta dhe drejtësia për personat e zhdukur janë domosdoshmëri”, thuhet në mesazhin e BE-së.
Britania e Madhe dhe BE-ja vlerësuan gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për kërkimin dhe gjetjen e personave të zhdukur, duke theksuar se kjo çështje mbetet e rëndësishme për familjet dhe komunitetet në Kosovë.
