Braktisja e institucioneve nga sërbet, betohen asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut

Në Mitrovicën e Veriut ditën e sotme më 14 dhjetor u betuan asamblistët e rinj.

Pas kësaj, Kuvendi Komunal, në seancë të mbyllur, nisi procedurat për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni.

Nga 15 asamblistët e rinj, që dhanë betimin, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviç nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”.

Në fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.

Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.

Zyrtarët serbë dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.