Gjatë diskutimit në Kuvend për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ngriti shqetësime lidhur me mungesën e një plani të qartë për integrimin evropian dhe menaxhimin e financave publike.
Sipas Tahirit, Kosova po ecën në procesin e integrimit pa një agjendë të përcaktuar, ndërsa e cilësoi vendin si shtetin me performancën më të dobët në Ballkanin Perëndimor.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje gjithashtu se Kosova mbetet i vetmi vend që ka qëndruar nën masat e Bashkimit Evropian për më shumë se dy vjet.
Deputeti shprehu shqetësim edhe për mënyrën se si administrohen paratë publike, duke paralajmëruar se korrupsioni dhe keqmenaxhimi financiar përbëjnë një rrezik të madh.
Tahiri i bëri thirrje Qeverisë të ndërmarrë tri hapa: të emërojë një ministër ose zëvendësministër që do të jetë përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, të trajtojë statusin e Kosovës si vend kandidat dhe të parandalojë humbjen e 131 milionë eurove nga fondet evropiane.
“Kjo qeveri duhet të ndërmarrë tre hapa: caktimin e një ministri ose zëvendësministri përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, adresimin serioz të çështjes së statusit të vendit kandidat dhe të mos lejojë të humben 131 milionë euro, ashtu siç janë humbur 43.8 milionë euro”, deklaroi Tahiri.





