Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin për krime lufte të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të lidhura
None found
Sipas Berishës, kjo është një ditë e rëndë për shqiptarët, Kosovën dhe familjarët e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Natyrisht, sot nuk është një ditë e mirë për shqiptarët, për të gjithë kombin, për Kosovën dhe për familjet e ish-drejtuesve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Gjykata e shkallës së parë në Hagë shpalli vendime në të cilat, në mënyrë absolute, nuk arriti të vërtetojë asgjë konkrete, përveç deklaratave të përgjithshme të përsëritura dhjetëra e qindra herë nga propaganda e Beogradit”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së i quajti dënimet të padrejta, duke theksuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të Kosovës duhej të shpalleshin të pafajshëm.
“Në vend që, në emër të së drejtës, të shpallte në sallë pafajësinë e ish-drejtuesve politikë të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës, gjykata dha dënime krejtësisht të pamerituara. Sigurisht, këto dënime të padrejta festohen në Serbi dhe në Beograd”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se asnjë vendim nuk mund ta zbehë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, të udhëhequr prej tyre, të cilën e cilësoi si faqen më të ndritur të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi një luftë përmes së cilës, së bashku me NATO-n dhe me mbështetjen e saj, duke qenë aleatja e NATO-s në terren, çliroi Kosovën, koloninë e fundit në Evropë, nga pushtimi barbar serb”, tha Berisha.
